75 Mall Live Search
17:26 / E Hënë, 12 Janar 2026 / H F

Vrasja në Raçë të Gjakovës më 2003 ende e pazbuluar, Apeli: Nuk u provua se i akuzuari ishte autori i vrasjes

Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë e cila më 14 shkurt 2025 kishte liruar nga akuza Dedë Leshin për akuzën se më 12 korrik 2003 në  Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N.

Në këtë rast, Dedë Lleshi i cili është ekstraduar nga SHBA-ja, akuzohej se më 12 korrik 2003 në Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N., (47-vjeçar), duke shtënë 28 herë në drejtim të tij. Vrasja thuhet se ndodhi pasi tani i ndjeri ia kishte vrarë babanë tani të akuzuarit para 12 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë kishte paraqitur Prokuroria Themelore e Gjakovës për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që vendimi të anulohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.

Përgjigje ndaj ankesës ka paraqitur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Teki Bokshi, duke kërkuar që ankesa të aprovohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.

Gjithashtu, edhe Prokuroria Apelit përmes parashtesës ka propozuar që kjo ankesë të aprovohet.

Sipas Apelit, nuk qëndron pretendimi se vendimi i Themelores përmban shkelje esenciale pasi që vendimi është i qartë, konkret dhe përmban arsye të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante që lidhen me rastin.

Më tutje, thuhet se vendimi i Themelores në Gjakovë ka qenë i drejtë, objektiv dhe i ligjshëm, krejt kjo bazuar në provat e proceduara, dhe atë dëshmitarët dhe provat materiale.

Lidhur me pretendimet për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata Apelit gjeti se Themelorja drejt i ka vlerësuar dhe analizuar faktet vendimtare, përkitazi me këtë në këtë çështje penalo-juridike, në mënyrë të padyshimtë ka vërtetuar gjendjen faktike në bazë të së cilës edhe e ka liruar të akuzuarin nga akuza për veprën penale “Vrasje”.

Në vendim, thuhet se fakt kontestues ishte nëse Lleshi ishte personi që ka shtënë në drejtim të tani ndjerit N.N., ku dëshmitari okular ka deklaruar se Lleshi nuk ka qenë personi që ka shtënë në drejtim të viktimës.

Gjithashtu, thuhet se edhe nga deklaratat e dëshmitarëve nuk kanë deklaruar asnjëri se Lleshi ishte personi që ka shtënë në drejtim të viktimës.

Po ashtu, sipas vendimit të Apelit i përpiluar më 3 dhjetor 2025, edhe nga provat materiale nuk është gjet asnjë gjurmë që e lidh të akuzuarin Lleshi me kryerjen e veprës penale për të cilën është akuzuar.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 14 shkurt 2025 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Dedë Lleshit, për akuzën se më 12 korrik 2003 në Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 18 prill 2024, Dedë Lleshi akuzohej se më 12 korrik 2003, në fshatin Raçë të Komunës së Gjakovës, në afërsi të dyqanit “V-Shala”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.N., (47-vjeçar). Rasti thuhet se ka ndodhur për shkak të vrasjes së babait të tij P.Ll., të cilin para 12 vitesh e ka privuar nga jeta N.N,.

Në aktakuzë thuhet se ditën kritike, tani i pandehuri Lleshi shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit N., kur ky i fundit ka hyrë në dyqan për të blerë gjëra ushqimore, i pandehuri Lleshi e pret, me të vërejtur se del nga dyqani, prej një afërsie shtie në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Aktakuza thotë se edhe kur viktima bie në tokë, i pandehuri Dedë, përsëri shtie në drejtim të kokës së viktimës, duke ia dëmtuar në tërësi pjësën e majtë të fytyrës, po ashtu duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, e nga plagët e marra nga viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

Për këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 30, par.2 pika 3 të LPK-së.

Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se i pandehuri Dedë Lleshi, nga koha e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati. Ai është arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë. Në aktakuzë thuhet se më 7 shkurt 2024, nga ana e zyrtarëve policorë janë njoftuar se i pandehuri Lleshi, është ekstraduar nga SHBA, dhe është sjellë në Aeroportin e Prishtinës, e më pas në ndalim në Stacionin policor në Gjakovë.

Aty thuhet se pasi i akuzuari ka qenë më parë në arrati, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 8 shkurt 2024 kishte marrë aktvendim për rifillim të hetimeve për vrasje e armëmbajtje pa leje, në lidhje me vrasjen e cila ka ndodhur në vitin 2003 dhe është paraqitur kërkesa për paraburgim. Më pas, të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit.

Sipas aktakuzës, gjatë procedurës hetimore është vërtetuar në tërësi se i pandehuri Dedë Lleshi, ka kryer veprën penale “Vrasje”, ndërsa sa i përket veprës penale “Mbajtja pa autorizim i armëve dhe municionit” nga neni 8, par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7, ka ardhur në përfundim se ka kaluar afati absolut i parashkrimit të ndjekjes penale, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale.

“…andaj duke u gjendur në këto rrethana dhe faktet e lartpërmendura, kemi marrë Aktvendim për pushimi e pjesërishëm të hetimeve, ndaj të pandehurit Dedë Lleshi, për shkak të veprës penale Mbajtja pa autorizim të armëvve dhe municionit nga neni 8 par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7″, thuhet në aktakuzë.