Pas përmbytjeve, hapet për qarkullim rruga nacionale Prishtinë-Ferizaj
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rruga nacionale Prishtinë-Ferizaj dhe anasjelltas, përfshirë aksin rrugor në afërsi të “Prishtina Mall”, e cila mbeti e bllokuar për disa ditë shkaku i përmbytjeve nga të reshurat, është hapur për qarkullim normal të komunikacionit rrugor.
Në njoftim u tha se pas përfundimit të punimeve dhe largimit të pengesave të përkohshme, lëvizja e automjeteve zhvillohet pa kufizime dhe në kushte të rregullta trafiku.
Policia tha se institucionet përgjegjëse mbeten të angazhuara për monitorimin e vazhdueshëm të situatës në terren, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së komunikacionit.
Ky institucion ka ftuar të gjithë vozitësit që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe rregullat e trafikut, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

