75 Mall Live Search
18:27 / E Enjte, 15 Janar 2026 / Z S

Një i vdekur dhe dy të lënduar nga aksidenti i një autocisterne në Slloveni

Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar pasi një autocisternë me karburant është përmbysur dhe është përfshirë nga flakët në autostradën A1, mes Lubjanës dhe Mariborit, pranë Slovenska Bistricës, në verilindje të vendit.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të 15 janarit. Shoferi i autocisternës, i cili po udhëtonte në drejtim të Mariborit, ka humbur kontrollin mbi mjetin, është përplasur me barrierën ndarëse të korsive dhe është përmbysur në kahun e kundërt të autostradës, ku më pas është përplasur edhe një furgon.

Si pasojë e përplasjes, autocisterna ka shpërthyer dhe të dyja automjetet janë përfshirë nga zjarri. Policia ka bërë të ditur se viktima që ka humbur jetën në vendngjarje është shoferi i furgonit, i cili ka mbetur i bllokuar brenda mjetit.

Dy personat e lënduar dyshohet se janë shoferi i autocisternës dhe pasagjeri i vetëm që ndodhej në furgon.

Shkaqet se pse drejtuesi i autocisternës humbi kontrollin e mjetit mbeten ende të paqarta.