Arsyeja e veçantë pse u ndërpre ndeshja Bashkimi – Rahoveci 29 në basketboll
Basketbolli është më shumë se një lojë dhe mbrëmë në Prizren kjo u dëshmua qartë. Pas incidenteve të fundit në disa palestra të vendit, ndeshja Bashkimi – Rahoveci 029 u ndal për pak minuta, jo për tension, por për të përcjellë një mesazh të fortë paqeje, respekti dhe sportiviteti.
Në vend të gjësendeve të hedhura me mllef, në parket u hodhën arushë të butë nga fëmijët, si simbol i dashurisë dhe përgjegjësisë ndaj brezave të rinj. Ky veprim synoi të tregojë se sporti duhet të jetë shembull pozitiv për ata që stërviten çdo ditë dhe ëndërrojnë të jenë pjesë e parketit.
Për ta forcuar edhe më shumë këtë mesazh, fëmijët vendosën që lodrat t’ua dhurojnë bashkëmoshatarëve të tyre në SOS Fshatin e Fëmijëve dhe në Repartin e Pediatrisë. Organizatorët ritheksuan se palestrat duhet të jenë hapësira të sigurta dhe pozitive për të gjithë, ndërsa dhuna nuk ka vend në basketboll dhe në sport në përgjithësi. Le ta ruajmë lojën e pastër.

