Jo fejesë, jo martesë: Njihuni me unazat e divorcit
Divorci po hyn në një epokë të re dhe jo domosdoshmërisht të zymtë. Sipas një trendi që po fiton terren, gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin ta shënojnë ndarjen jo me heshtje apo keqardhje, por me simbole të reja personale: unazat e divorcit.
Të ashtuquajturat divorce rings po shihen si një mënyrë për të rimarrë kontrollin mbi një histori që ka përfunduar.
Në shumicën e rasteve, gratë zgjedhin të ripërdorin gurët e unazës së fejesës ose martesës diamante, safirë apo gurë të tjerë dhe t’i transformojnë në një bizhuteri të re, që nuk ka më lidhje me simbolikën e vjetër.
Gurët ndahen, ripozicionohen ose vendosen në dizajne krejt të ndryshme: unaza ari, forma skulpturore, ose edhe bizhuteri të tjera si varëse apo vathë.

Një tjetër praktikë e zakonshme është krijimi i një unaze të re nga e para, pa përdorur asnjë element të mëparshëm.
Ndryshe nga narrativat tradicionale që e portretizojnë divorcin si fundin e një historie, ky trend e sheh atë si një tranzicion. Jo domosdoshmërisht të lehtë, por të vetëdijshëm dhe, në disa raste, çlirues.
Siç e përshkruajnë disa prej tyre, është një mënyrë për të shënuar vendimin, jo dhimbjen; besimin te vetja, jo humbjen.
Shembull para dhe pas

Në fund, unazat e divorcit janë më shumë sesa një trend mode. Ato pasqyrojnë një ndryshim kulturor: një mënyrë më e hapur, më e vetëdijshme dhe më pak stigmatizuese për të folur për fundet dhe për fillimet që vijnë pas tyre.

