Dyshimet për manipulimin e votave, aktivizohet Prokuroria e Ferizajt
Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka njoftuar se në kuadër të kompetencave të saj ligjore dhe si institucion i prokurorit të shtetit, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore, transmeton IndeksOnline.
Në këtë drejtim, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të të gjithë materialit zgjedhor në përputhje me ligjin.
Veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis.
Prokuroria Themelore e Ferizajt do të mbetet e angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit./IndeksOnline/

