MF: Shërbimi elektronik për regjistrimin e furnitorëve tashmë është aktiv
Thesari i Republikës së Kosovës ka lëshuar shërbimin elektronik për regjistrimin e furnitorëve, i integruar në platformën shtetërore e-Kosova, i cili tashmë është aktiv dhe funksional për të gjithë operatorët ekonomikë, përfituesit individualë dhe OJQ-të.
Ky sistem i ri mundëson regjistrim të drejtpërdrejtë, me verifikim automatik të të dhënave nga sistemet shtetërore përkatëse, duke eliminuar dokumentacionin fizik dhe pritjet e gjata administrative. Përmes tij, operatorët ekonomikë kursejnë kohë, kosto dhe mund, ndërkohë që rritet siguria dhe transparenca në menaxhimin e të dhënave në sistemin financiar publik.
Thesari ka mbajtur edhe një trajnim online ku janë trajnuar mbi 320 zyrtarë të organizatave buxhetore për mënyrën e regjistrimit si furnitorë.
Për të përdorur shërbimin, hyni në platformën e-Kosova, te Shërbimet, dhe klikoni ikonën Thesari, ku do të gjeni dy opsione:
Përcjell statusin e faturës
Regjistrohu si përfitues në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK) Shërbimin mund ta qasni drejtpërdrejt përmes kësaj vegëze:https://ekosova.rks-gov.net/Service/51

