75 Mall Live Search
12:42 / E Hënë, 26 Janar 2026 / S Z

Kryeziu kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Prizren: Procesi zgjedhor është thellësisht i kontaminuar

Ismet Kryeziu nga KDI-ja ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë, dhe sipas tij është cenuar integriteti i procesit të fundit zgjedhor.

Në një reagim në Facebook, Kryeziu thotë se zbulimi i parregullsive dhe manipulimeve ka prekur mbi 60 mijë vota të qytetarëve, gjë që, sipas tij, e bën procesin të papranueshëm për t’u certifikuar.

“Si qytetar dhe votues i Komunës së Prizrenit, shpreh shqetësimin tim, por edhe të shumë bashkëqytetarëve të mi, lidhur me cenimin e integritetit të procesit të fundit zgjedhor”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai thekson se shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, arrestimi dhe ngritja e aktakuzave ndaj mbi 100 komisionerëve zgjedhorë, si dhe korrigjimi i votave për kandidatë të caktuar, janë dëshmi se procesi ka qenë i komprometuar rëndë.

“Këto zhvillime dëshmojnë se ky proces ka qenë thellësisht i kontaminuar”, ka theksuar ai.

Sipas Kryeziut, edhe pse janë ndërmarrë hapa për anulimin e votave të manipuluara, kjo nuk mjafton për të rikthyer besimin e qytetarëve.

“Korrigjimet teknike asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për të rikthyer besimin publik dhe për të garantuar se rezultati përfundimtar pasqyron realisht vullnetin e lirë të qytetarëve”, është shprehur ai.

Ai shton se, pavarësisht se institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë vendime përfundimtare për përgjegjësinë individuale të kandidatëve, besimi në integritetin e përfaqësuesve të zgjedhur është dëmtuar rëndë.

“Në një demokraci funksionale, legjitimiteti i mandatit buron jo vetëm nga ligjshmëria formale, por edhe nga besueshmëria e procesit që e prodhon atë”, ka deklaruar Kryeziu.

Duke folur për pasojat politike, ai thekson se qytetarët e Prizrenit nuk duhet të penalizohen për parregullsi që nuk i kanë shkaktuar vetë, as të mbesin pa përfaqësim në kuvend.

“Mendoj që votuesit e Prizrenit nuk do të duhej të penalizohen për parregullsitë që nuk i kanë shkaktuar vetë”, ka shtuar ai.

Kryeziu ka bërë thirrje për përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme të drejtë dhe proporcionale.

“Kërkoj përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, si mjeti i vetëm për të rivendosur besimin në procesin zgjedhor dhe në përfaqësimin politik të qytetarëve”, ka shtuar ai.