Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj flasin për pritjet e tyre në Olimpiadën Dimërore
Kosova po përgatitet për të marrë pjesë në lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026” që mbahen nga 6 deri më 22 shkurt me një ekip të vogël por ambicioz, duke përfaqësuar vendin në disiplinat alpine dhe duke synuar rezultate më të mira se herët e kaluara. Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Skijimit kanë investuar në stërvitje intensive dhe mbështetje të vazhdueshme për sportistët, ndërsa sportistët vetë shprehen të motivuar dhe të përgatitur për këtë sfidë të madhe.
Në një konferencë për media, Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, theksoi rëndësinë strategjike të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Dimërore dhe angazhimin e vazhdueshëm të KOK-ut për të mbështetur sportistët, duke ofruar mjete dhe programe që ndihmojnë përgatitjen e tyre maksimale.
“Këto lojëra dimërore janë shumë të rëndësishme për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe për të gjithë sportistët tanë. Siç edhe ju e dini, Kosova përfaqësohet nga dy sportistë…pra Kiana Kryeziu e cila na përfaqëson me tri disiplina alpine dhe gjithashtu Drini i cili së bashku me trajnerin e tij Agim Popoci dhe trajnerin e Kianës Visar Kryeziu…Ne jemi munduar që gjatë krejt këtyre viteve së bashku me Federatën e Skijimit t’i përkrahim sportistët tanë me bursa olimpike, si dhe me kampe stërvitore, që e dimë që nuk janë fare të lehta”, theksoi Krasniqi
Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës së Skijimit, bën një vlerësim të përgatitjes profesionale të sportistëve, duke nënvizuar përvojën dhe stërvitjen intensive që e vendos ekipin e Kosovës në një nivel më konkurrues se kurrë më parë.
“Asnjëherë në historinë e skijimit nuk kanë qenë më të përgatitur se tash që po shkojnë në olimpiadën e “Cortina”-s. Kështu që i uroj shumë sukses garuesve në radhë të parë, dhe pres një rezultat më të mirë se radhëve të tjera. Duke e ditur që kanë shumë ditë në trajnime në borë, dhe mbështetja nuk ju ka munguar asnjëherë…Kështu që pres rezultate më të mira të mundshme në këtë olimpiadë që do të vie tash”, theksoi Kelmendi.
Skitarja Kiana Kryeziu, tashmë me eksperiencë olimpike nga Pekini, ndan përvojën e saj personale dhe pritshmëritë për performancën në tri disiplinat alpine, duke treguar përkushtimin dhe ambicien për të përfaqësuar sa më mirë Kosovën.
“Pak a shumë kjo është një vazhdimësi e karrierës time. Unë i kom pas 17 vjet në Pekin, edhe kam garuar pra vetëm me një disiplinë, në disiplinën e Sllallomit të Madh. Kurse tashti, mbas katër vjetësh, shumë pune dhe shumë përkushtimi, ia kam mundësuar vetes me rezultate të garojë në tri disiplina. Gjithçka është si pasojë e punës dhe përkushtimit edhe mbështetjes së pandalur. Prej vetes pres rezultate të mira, pres një paraqitje shumë më të mirë se herën e kaluar, edhe një përfaqësim sa më dinjitoz të shtetit”, theksoi Kryeziu
Drin Kokaj, që debuton në një Olimpiadën Dimërore, përshkruan sfidat dhe vështirësitë e kualifikimit, duke treguar vendosmërinë e tij dhe shpresën për të dhënë një performancë të nivelit botëror për Kosovën.
“Për mua lojërat olimpike “Milano Cortina” është hera e parë që do ta përfaqësoj Kosovën në eventin më të madh botëror. Kjo olimpiadë rrugëtimi ka qenë më i vështirë, për arsye që kualifikimi në olimpiadë ka qenë nga Federata Ndërkombëtare… për ta fituar normën më e vështirë se olimpiadat e kaluara. Domethënë, masat kanë qenë më të shtrënguara dhe ka qenë që duhet me dëshmuar nivelin që jemi të aftë për atë olimpiadë. Kështu që e kam dëshmuar dhe shpresoj që përfaqësimi ka me qenë në një nivel sa më të mirë botëror”, deklaroi Kuka.
Kiana Kryeziu ka përfaqësuar Kosovën edhe në lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”, ndërsa për Drin Kokajn, Milano Cortina 2026 do të jetë paraqitja e parë olimpike.

