Kurti, Osmani e Basha nderojnë viktimat e Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, vendosën kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.


Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit “ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”.
Ndër të tjera, kryeministri thekson se duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia, populli i Kosovës ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve që ishin cak i tyre.

“Andaj edhe sot, si në çdo përvjetor, i kujtojmë viktimat e Holokaustit që mos t’i harrojmë vuajtjet dhe dhimbjen, dhe i rikujtomë ngjarjet që ato mos të përsëriten”, ka shkruar ai.

