75 Mall Live Search
16:03 / E Premte, 30 Janar 2026 / A

Superliga ndizet në xhiron e 18 me përballje vendimtare

ProCredit Superliga e basketbollit rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 18-të, e cila premton emocione të forta dhe ndeshje me rëndësi të madhe për renditjen. Me derbe tradicionale dhe përballje direkte mes skuadrave që synojnë pozicione më të mira, vëmendja do të jetë e shpërndarë në të gjitha palestrat.

Hapja e xhiros sjell derbin mes dy skuadrave me histori të madhe në basketbollin kosovar. Bashkimi dhe Sigal Prishtina do të përballen në Prizren, në një ndeshje që ka rëndësi të dyfishtë, pasi dy ekipet do të ndeshen edhe në gjysmëfinale të Kupës. Bashkimi hyn në këtë duel nga pozita e dytë në tabelë me 11 fitore dhe 6 humbje, ndërsa Sigal Prishtina me 8 fitore e 9 humbje synon rikthimin në formë përmes një rezultati të madh.

Një tjetër përballje me peshë të madhe zhvillohet në Pejë. GO+ Peja pret Rahoveci 029 në një duel që cilësohet jetik për të dyja skuadrat. Pejanët kanë bilanc prej 8 fitoresh dhe 9 humbjesh, ndërsa rahovecasit me 5 fitore dhe 12 humbje kërkojnë pikë të rëndësishme për të qëndruar në garë dhe për të shmangur zonën e rrezikshme të tabelës.

Të dielën, vëmendja zhvendoset në Gjakovë. Vëllaznimi përballet me Borën në një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit. Kuqezinjtë kanë regjistruar 5 fitore dhe 12 humbje, ndërsa Bora po kalon një periudhë të mirë forme me 9 fitore dhe 8 humbje, duke synuar të vazhdojë ngjitjen në renditje.

Mbyllja e xhiros sjell sfidën më të fortë të fundjavës. Trepça dhe Golden Eagle Ylli përballen në Mitrovicë, në një duel mes dy skuadrave që janë në seri fitoresh. Mitrovicasit kanë nëntë fitore radhazi në elitë dhe kryesojnë tabelën me 14 fitore e 3 humbje, ndërsa therandasit kanë pesë fitore radhazi dhe bilanc prej 8 fitoresh e 9 humbjesh. Dy ekipet janë përballur edhe në Kupë, ku Trepça siguroi kalimin në gjysmëfinale, çka e bën këtë ndeshje edhe më interesante.