Pse Taylor Swift nuk do të marr pjesë në Grammy 2026
Këtë vit, Taylor Swift nuk ka marrë asnjë nominim në Grammy Awards, ndaj mungesa e saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nuk ka ardhur si surprizë për fansat. Ylli i muzikës pop nuk do të jetë i pranishëm në eventin e sonte, ashtu si edhe i fejuari i saj, Travis Kelce.
Megjithëse Swift publikoi një nga albumet më të përfolura të vitit 2025, The Life of a Showgirl, ai u lançua në muajin tetor, jashtë periudhës zyrtare të pranueshmërisë për Grammy 2026, e cila përfshinte datat nga 31 gusht 2024 deri më 30 gusht 2025. Për këtë arsye, albumi pritet të hyjë në garë për nominime vetëm në ceremoninë e vitit 2027.
Përpara ceremonisë së këtij viti, producenti ekzekutiv i Grammy-ve, Ben Winston, sqaroi thashethemet që qarkulluan mbi një paraqitje të mundshme të Swift. Në një intervistë për “Hits”, ai theksoi se spekulimet nisën vetëm për shkak të publikimit të një lajmi të pabazuar.
“E vetmja arsye pse njerëzit menduan se Taylor mund të performonte ose të merrte pjesë ishte sepse Hits e publikoi këtë javë dhe e përfshiu në listën e tyre, dhe më pas lajmi u përhap kudo,” u shpreh Winston.
Vlen të kujtohet se vitin e kaluar, Taylor Swift ishte pjesë e ceremonisë Grammy si prezantuese. Ajo u shfaq me një fustan të shkurtër të kuq me shkëlqim nga Vivienne Westwood, i cili u interpretua nga fansat si një paralajmërim simbolik i epokës së saj të re muzikore, “The Life of a Showgirl”.
Që prej publikimit të dokumentarit të saj The End of an Era në muajin dhjetor, Swift ka zgjedhur të mbajë një profil më të ulët publik. Ajo u fotografua së fundmi duke darkuar me Travis Kelce në Beverly Hills, menjëherë pas ceremonisë së Golden Globes, por çifti nuk mori pjesë as në event dhe as në festat që pasuan.
Një burim për “Us Weekly” ka zbuluar se, ndonëse Taylor Swift “gjithmonë ka ide në zhvillim për karrierën e saj muzikore”, ajo aktualisht nuk është e fokusuar në organizimin e një turneu për albumin “The Life of a Showgirl”.
Ndërkohë, Swift dhe Kelce po përqendrohen edhe në jetën personale, pasi burime pranë çiftit bëjnë të ditur se ata janë duke planifikuar dasmën e tyre, larg vëmendjes së tepërt mediatike.

