75 Mall Live Search
17:33 / E Hënë, 02 Shkurt 2026 / b l

Ish e burgosura politike: Gardiania serbe është mundu me m’shti me e shkel fotografinë e Thaçit, s’e kam shkel

“Më ka dërguar në podrum, më ka zhveshur si më ka bërë nëna dhe më ka thënë: ‘këtu i kemi gri shqiptarët, edhe ti sot ke me u deportua”.

Ky është një nga rrëfimet tronditëse të viktimave të dhunës sistematike ndaj të burgosurave shqiptare në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, ku e akuzuar për keqtrajtim është ish-gardiania Nadica Cepkenoviq, raporton KosovaPress.

Zahrije Podruqa, e cila ishte dënuar me katër vjet burg në vitin 1998, tha se torturat e përjetuara nga Cepkenoviq i mbeten ende të gjalla në kujtesë.

Ajo rrëfeu se për muaj të tërë ishte torturuar vazhdimisht, si fizikisht ashtu edhe psikikisht.

Podruqa tha se i ishte kërkuar të shkelte fotografinë e ish-presidentit Thaçi, por kishte refuzuar.

“E mbaj mend që për çdo muaj rregullisht, më ka torturuar, kurrë pa ndalë, e lëshojke magnetofonin me zë të lartë, për mos me u dëgjua britma. Kam qenë prej femrave më të torturuara në burgjet serbe edhe fizikisht, edhe psiqikisht. Kjo më ka çua në podrum, ka qenë një dhomë podrum me mjete edhe më ka thënë, tha, “ky është vendi”, tha, “ku i kemi gri shqiptarët”, tha, “edhe ti nëpër këto makina sot ke me u deportu”. Edhe më ka zhveshë, qysh më ka bë nëna, e ka qitë fotografinë e Hashim Thaçit në tokë edhe më kanë torturuar sa kanë mundur, derisa s’kam mundur me i përballu. Është mundu me më shty me e shkel fotografinë e Hashim Thaçit, edhe nuk e kam shkelë, në fund i kom thënë, “nxirre revolen e vramë”, se nuk e shkeli se është vëllai im edhe e kam marrë fotografinë prej toke, e kam qit në gjoks”, u shpreh Podruqa.

Edhe ish-e burgosura tjetër, Jehona Krasniqi-Morina, tha se ballafaqimi me të akuzuarën pas gati tri dekadash nuk i ka sjellë emocione pozitive.

Krasniqi-Morina theksoi se ky proces përbën një pikë kthese për viktimat.

“Me të, kujtohen gjithmonë veç ngjarjet e këqija, të hidhura, dhunë sistematike të vazhdueshme, qysh nga arrestimi deri në ditën e lirimit tonë. Momenti që u ballafaquam pas gati tri dekadash në gjykatë, nuk solli emocione të mira. Ka qenë, shumë e dhunshme, ka pasur presion psikik të jashtëzakonshëm, në mënyrë të pandërprerë, me të gjitha të burgosurat, nuk ishte e vetmja, janë edhe disa të tjera që u përmendën prej gardianëve dhe në këtë akuzë. Për t’u vënë drejtësia në vend, duhet të jenë të gjitha sepse kanë qenë bashkëfajtore. Mirëpo kjo është një pikë kthese për ne, sepse pas dy dekadash e sa, është një shenjë pozitive që drejtësia, po dëshiron ta vënë në pah dhunën e dikujt që me të vërtetë ka bërë presion të jashtëzakonshëm. Ai është quajtur burg, po mund të krahasohet lirisht me kampet e nazizmit, se çfarë kanë bërë me të burgosurit shqiptarë, pa dallim gjinie.. Ka fyer në kombësi, shqiptari, ka fyer në formën nga më të ndryshmet, janë munduar me të, me të frikësuar në forma nga më të ndryshmet”, tha Krasniqi- Morina.

Ndërkohë, Mevlyde Saraçi, e cila tha se dhuna e përjetuar i ka lënë pasoja të rënda edhe në dëgjim, deklaroi se sot e kishte të vështirë të dëgjonte seancën gjyqësore.

Ajo kërkoi dënim meritor për të akuzuarën dhe për gardianet e tjera të përfshira.

“Vetëm ajrin kemi mund ta thithim brenda dhomës 6 metra katrorë, asgjë tjetër… Po me atë shikim që është futur atje dhe sot ka hyrë në sallë, me atë injorancën e vet, me atë fytyrën e krimineles, na ka shikuar të gjitha me radhë. Dhe për mua është një ditë e fitores sot, për faktin se ajo sot ndodhet në pozitën që kemi qenë ne, por më vjen keq që ne paguajmë taksa, që ajo të ushqehet me taksat tona. Një kriminele e tillë duhet të dënohet, të dënohen edhe ato të tjera mungesë, që për neve, grave e vajzave që jemi burgosur në rrethana të jashtëzakonshme, që kemi punuar për liri dhe pavarësi të Kosovës, që na kanë dëmtuar edhe gjymtyrët, na kanë dëmtuar psikikisht, moralisht, na kanë përulur, na kanë sharë kombin, na kanë sharë Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës, na kanë sharë nënat shqiptare, djepin e fëmijëve shqiptarë dhe gjithçka tjetër”, tha ajo.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cepkenoviq e cila akuzohet se ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare në kohen kur ishte gardiane në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan.

Ajo është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Cepkenoviq, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sladjana Arsiq dhe Biljana Stoliq, dyshohet se ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.

Në aktakuzë përshkruhet se të pandehurat dyshohet se i kanë torturuar viktimat në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Po ashtu, thuhet se ato kanë ushtruar dhunë psikike, kanë kërcënuar seriozisht për jetë dhe se, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme, viktimat kanë pësuar ankth e frikë, ndërsa u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja që sipas aktakuzës vazhdojnë t’i bartin edhe sot.