75 Mall Live Search
15:19 / E Enjte, 05 Shkurt 2026 / b l

Diskutime për koalicion LVV-LDK, a do t’i shkruajë Kurti letër të re Abdixhikut të mandatuar nga partia për të negociuar

Një koalicion i mundshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po përmendet së fundmi. Thashethemet nuk janë kontradiktore.

LDK-ja, e cila në vitin 2021 kishte shënuar rezultatin më të keq të saj pas një bashkëqeverisje të shkurtër me LVV-në, ka shënuar një tjetër rezultat të dobët në fund të vitit të kaluar – shumë afër atij rekordit të zi – dhe kjo është arsyeja kryesore, sipas profesorit Blerim Latifi, që ajo të bëhet tash pjesë e pushtetit të Albin Kurtit. Lumir Abdixhiku, i cili mbeti kryetar i LDK-së, ka marrë “autorizim të plotë” për ta udhëhequr partinë “në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale” dhe për të ndërruar “pozicionet politike të partisë”.

Rezultati i dobët i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar (13.24%) ngriti pyetje mbi të ardhmen e partisë më të vjetër në vend.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i mbijetoi në kuvendin e partisë më 31 janar një votëbesimi që e kërkoi vetë, si shenjë e marrjes së përgjegjësisë për rezultatin.

Abdixhiku, i cili mbeti në krye të partisë, gjatë vitit të kaluar kishte refuzuar dy ftesa të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për të bashkëqeverisur. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, e kishte fajësuar partinë e Abdixhikut për moskrijimin e një qeverie të re, gjë që e çoi vendin sërish në zgjedhje.

Vetëvendosje ka fituar 57 mandate në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës 15.

Kurti mund ta bëjë lehtë qeverinë edhe me tetë votat e sigurta të grupit parlamentar multietnik, ndërkohë që një koalicion eventual me LDK-në e cila po t’i jepte të gjitha votat do të arrinin në numrin 80, mjaftueshëm edhe për të gjetur zgjidhje edhe për postin e Presidentit.

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare e kanë ndryshuar “radikalisht dhe strukturalisht” skenën politike në vend, sipas profesorit universitar, Blerim Latifi.

Elektorati e ka “ndëshkuar” LDK-në, sipas Latifit, “për shkak të pozicionit që e ka mbajtë 9 muaj ndaj Vetëvendosjes”, e cila mori 51.10% të votave.

“Edhe një qëndrim i LDK-së në atë pozicion që ka qenë 9 muaj, LDK-ja shuhet. LDK-ja e ka veç një mundësi me mbijetu: me u bë pjesë e pushtetit”, tha ai.

Latifi thotë se vendi po sheh një ndryshim të strukturës politike që shkon deri te krijimi i një sistemi ku “i ke dy parti të mëdha që garojnë në zgjedhje me njëra-tjetrën”. LDK-ja, thotë ai, “tanimë është parti e vogël”.

Në kuvendin e partisë, LDK-ja miratoi dy deklarata politike lidhur me organizimin e brendshëm dhe gjendjen politike në vend.

Në njërën prej tyre, thuhet se “në këtë fazë vendimtare për vendin, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës riafirmon rolin e saj historik si forcë shtetformuese, si garantuese e stabilitetit institucional dhe si alternativë serioze qeverisëse”. LDK, thuhet ndër tjerash në njërën nga deklaratat, “nuk është parti e konfliktit”.

LDK-ja ka paralajmëruar se do të “angazhohet për rikthimin e dialogut politik”, ndër tjerash.

“Ne besojmë se ndryshimi nuk vjen përmes përçarjes, por përmes bashkimit rreth interesit publik dhe vizionit të përbashkët për Kosovën”, thuhet në deklaratën ku u bëhet thirrje të gjitha forcave politike në vend që “të vendosin interesin e Republikës mbi interesat partiake”.

Deklaratat e LDK-së flasin për rolin institucional të kësaj partie si “bartëse e përgjegjësisë shtetërore” dhe për “garantimin e stabilitetit politik dhe institucional” të vendit.

“Në këtë drejtim, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i jep mbështetje dhe autorizim të plotë Kryetarit të partisë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së. Kryetari i LDK-së do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së”, thuhet ndër tjerash në njërën prej deklaratave.

Abdixhiku tha atë ditë pas kuvendit partiak se LDK-ja është e interesuar të gjejë konsensus edhe për çështjen e presidentit.

Latifi thotë se edhe pozita e presidentit do të përfshihet në marrëveshjen LVV-LDK, të cilën ai e parasheh. Ai nuk beson se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje sivjet.

“Kurti e ka në plan me i rritë ministritë. Do me thënë, ka me shtu ministri. Kjo dihet për çka bëhet… me e akomodu një partner. Ti ke me e pasë LDK-në brenda koalicionit të ri”, tha ai.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve për koalicion. “Jam shumë vonë”, iu tha.

Pasi kishte dështuar ta krijonte një shumicë parlamentare për ta zgjedhur qeverinë e re vitin e kaluar, pati thënë se kishte besuar se “me udhëheqjen e re të LDK-së mund të bëhej një koalicion”.

Me LDK-në dhe Nismën, me të cilat vitin e kaluar synonte krijimin e një koalicioni më të madh, Kurti thoshte në një konferencë për media në tetor të vitit të kaluar se “do të mund t’i jepnim zgjidhje edhe çështjes së zgjedhjes së Presidentit”.

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci thotë se “as LVV-së nuk i duhet LDK-ja dhe as LDK-së nuk i duhet LVV-ja në këtë momentum politik”.

“Mendoj që LDK-ja e ka thënë disa herë se ata e kanë synimin që të arrihet marrëveshja për Presidentin, e jo qeverinë”, tha ai të martën në “Click” në RTV21.

Kurti beson se LDK-ja shënoi rezultat të dobët për shkak të qasjes ndaj partisë së tij.

“Përshtypja ime është që, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, udhëheqja e LDK-së u pa nga qytetarët e Republikës si bllokuese e çfarëdo bashkëpunimi. Në kushtet kur del subjekti i tretë, dhe me një dallim të madh prej të parit e jo të vogël edhe prej të dytit, të mos dëshirosh as të komunikosh, as të takohesh, as të bashkëpunosh, nuk mendoj që ka qenë racionale. Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë lloj alternative se si të ecet përpara. Në këtë kuptim, ka mundësi që një numër i konsiderueshëm i votuesve të LDK-së që kanë dashur ta shohin koalicionin me Vetëvendosjen në legjislaturën e kaluar, janë larguar prej mbështetjes së LDK-së”, ka thënë ai në një intervistë për KosovaPress, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Në njërën prej ftesave për koalicion që Kurti ia çonte Abdixhikut në maj të vitit të kaluar, shkruante se pas zgjedhjeve të reja mund t’u duhej që “të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK”.

“Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, i shkruante Kurti, ndër tjerash, Abdixhikut./Gazeta Express