75 Mall Live Search
18:04 / E Martë, 06 Maj 2025 / AR

Spin by Celina flet hapur/ Puna me Capital T, koncertet dhe projektet që po vijnë

Fatih Celina ndryshe i njohur në botën artistike Spin by Celina ka folur për Indeksonline rreth bashkëpunimit të tij me Capital T, duke zbuluar detaje nga puna në skenë, prapaskenat e koncerteve dhe përfshirjen e tij në anën kreative të projekteve muzikore.

Spin by Celina dhe Capital T bashkëpunojnë që nga fundi i vitit 2023, ndonëse njihen prej shumë vitesh. Me kalimin e kohës, raporti i tyre profesional është forcuar përmes muzikës dhe performancave live.

“Si DJ në performancat live, unë menaxhoj të gjithë programin muzikor, përzgjedhjen e këngëve, tranzicionet mes tyre dhe kohëzgjatjen e set-it. Energjia e publikut varet nga ne të dy, prandaj fokusi ynë është gjithmonë që së bashku të sjellim performancën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai për Indeksonline.

Deri më tani, dyshja kanë realizuar mbi 100 koncerte së bashku, si në Kosovë dhe Shqipëri, ashtu edhe në shumë shtete evropiane, duke krijuar një sinkronizim të fortë në skenë.

Përveç rolit si DJ, Spin by Celina është i përfshirë edhe në anën kreative të projekteve të Capital T. Ai merret me vizualizime, video promocionale, ide për videoklipe si dhe dizajnin e kopertinave të këngëve.

Duke folur për Capital T si artist, Spin by Celina e ka vlerësuar lart përkushtimin dhe kreativitetin e tij.

“Capital T është një artist shumë i zgjuar, kreativ dhe jashtëzakonisht i vëmendshëm ndaj detajeve. Ai është gjithmonë i hapur ndaj sugjerimeve nga unë dhe nga pjesa tjetër e ekipit. Puna e tij ndaj muzikës nuk është ndalur që nga dita e parë e karrierës. Deri më sot, nuk kam hasur një artist me kaq shumë projekte në zhvillim, si solo ashtu edhe në bashkëpunime me artistë të tjerë të suksesshëm”, ka shtuar ai.

Spin by Celina thekson se projektet e reja janë në proces dhe se për detaje të tjera, Capital T do të flasë vetë me publikun në kohën e duhur.