75 Mall Live Search
14:00 / E Shtunë, 07 Shkurt 2026 / A

FSK gjen trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat

Kontigjenti i Forcave të Sigurisë së Kosovës ka arritur të gjejë trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat në Shqipëri, pas një operacioni dhjetëditor të kërkim-shpëtimit.

Ky kontigjent i specializuar kërkim-shpëtimit nga regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare të FSK-së ishte angazhuar në këtë operacion me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’iu bashkuar operacionit në zonën e Klosit për kërkimin e një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat.

“Pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet shqiptare, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur. Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Gjithashtu, Komandanti i FSK-së falënderon personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Tutje theksohet se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.