75 Mall Live Search
17:04 / E Diele, 08 Shkurt 2026 / F.R

Aeroporti i Tiranës me numrin më të lartë në rajon për udhëtarë, lë pas Beogradin

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka regjistruar një tjetër vit rekord gjatë vitit 2025, duke përpunuar 11.6 milionë pasagjerë, çka përfaqëson një rritje prej 8.7 për qind krahasuar me vitin 2024.

Me këtë performancë, aeroporti i Tiranës renditet i pari në rajon për nga fluksi i udhëtarëve.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili iu referua statistikave të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), duke theksuar se TIA është renditur e para në rajon për nga numri i pasagjerëve të përpunuar.

Sipas Ramës, më 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka zgjeruar ndjeshëm rrjetin e tij të fluturimeve, duke shtuar 15 destinacione të reja dhe duke bashkëpunuar me 7 linja ajrore partnere.

“Gjatë vitit 2025 u shtuan 15 destinacione të reja dhe 7 linja ajrore partnere”, shkruan ndër të tjera Edi Rama në Facebook.

Rama ka ndarë edhe një infografikë e cila tregon se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) kryeson në rajon për numrin e udhëtarëve gjatë vitit 2025 me rreth 11-12 milionë pasagjerë, duke lënë pas Beogradin me rreth 9 milionë.

Sipas infografikes, Aeroporti i Prishtinës renditet i treti me rreth 5 milionë pasagjerë, më lart se aeroportet në Shkup dhe Podgoricë.

Po ashtu Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vlerësohet se ka rolin e tij si një nga pikat kryesore të transportit ajror në rajon.

analize