75 Mall Live Search
18:24 / E Hënë, 09 Shkurt 2026 / B XH

Kërkesa e Hagës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, Tërnava: E padrejtë, fyerje e rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënim me burgim prej 45-vjetësh për ish-krerët e UÇK-së.

Sipas tij, një kërkesë e tillë është e padrejtë dhe përbën fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë.

Në reagimin e BIK thuhet se kjo kërkesë është thjeshtë politike.

“Një qasje e tillë është fyese për viktimat e pafajshme, sulm ndaj heronjve që dhanë jetën për liri dhe përpjekje e hapur për njollosjen dhe degradimin e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare.

Kjo kërkesë është thjesht politike, me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht”, theksohet në njoftim.

BIK thotë se pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, ka deklaruar Tërnava.