75 Mall Live Search
18:23 / E Diele, 15 Shkurt 2026 / G T

Ferizaj nuk kërkon falje, thotë se akuzat për thirrje raciste janë të pabaza!

FC Ferizaj ka reaguar pas deklaratës së publikuar nga KF Prishtina e Re lidhur me pretendime për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së sotme, duke i hedhur poshtë kategorikisht këto akuza.

Në reagimin zyrtar, klubi nga Ferizaj i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe të pabazuara, duke theksuar se kapiteni i skuadrës, Betim Haxhimusa, është sportist me integritet të lartë dhe se një veprim i tillë nuk përfaqëson karakterin apo vlerat e tij, shkruan Indeksonline

“FC Ferizaj është klub që ndërtohet mbi respektin dhe barazinë. Në skuadrën tonë bëjnë pjesë lojtarë nga prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe lojtarë me ngjyrë, të cilët janë pjesë e pandashme e familjes sonë sportive. Kjo dëshmon qartë frymën dhe vlerat që përfaqësojmë”, thuhet në reagim.

Klubi e ka konsideruar të nxituar dhe të turpshme komunikatën e publikuar nga KF Prishtina e Re, duke nënvizuar se ajo është bërë pa asnjë bazë faktike. Sipas FC Ferizaj, në momentin e pretenduar ka qenë shumë pranë situatës edhe referi Nuza, çka, sipas tyre, e bën akuzën edhe më të pabazuar.

Në fund, FC Ferizaj ka theksuar përkushtimin ndaj parimeve të fair-play, respektit dhe dinjitetit, duke shtuar se nuk do të lejojë që emri i klubit dhe i kapitenit të njolloset nga pretendime që i konsideron të pavërteta./Indeksonline/