75 Mall Live Search
08:49 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Rast i rrallë, në Spitalin e Mitrovicës, mjekët i heqin një pacienteje tumorin prej rreth 4 kilogramësh

Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në spitalin e përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Pacientja me inicialet SH.K. (e lindur në vitin 1968) u pranua në Repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryerje të barkut dhe pengesa serioze në tretje (obstipacion).

Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Po ashtu, ajo kishte edhe Peritonitis Serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu).

Për shkak të rrezikut dhe përmasave të masës tumorale, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Operacioni konsistoi në Extirpatio Tumoris in toto (heqjen e plotë të tumorit), eksplorimin e hollësishëm të zgavrës së barkut, pastrimin (lavazhin) dhe vendosjen e drenazhit.

Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën.

Aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK.