75 Mall Live Search
09:36 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Kurti pas takimit me Orav-n: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja është organizata e paqes dhe sigurisë e ku nënvizon se është e nevojshme që Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian.

Kurti po ashtu thotë të kenë biseduar edhe për marrëveshjen për Planin e rritjes që u miratua në kuvend të premten.

“E falënderova ambasadorin Orav, shefin e misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e qeverisë, si edhe për aprovimin e Planit të rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për republikën tonë prej 882.6 milionë eurosh. Nga këto, afro 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti.

I pari i ekzekutivit nënvizoi se BE-ja është partner i besueshëm i Kosovës.

“Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë t’i përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i qeverisë sonë”, theksoi Kurti.