“Ju bëftë mirë syfyri i parë!”/ Kurti uron Ramazanin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në një postim në Facebook, Kurti shkroi se Ramazani është muaj i vetpërmbajtjes individuale dhe i solidaritetit kolektiv, transmeton IndeksOnline.
“Ai na fton që veten ta rigjejmë te bashkësia dhe na rikujton se begatia është bekim, ndërkaq empatia është virtyt” shkroi Kurti.
Ky është postimi i plotë:
Ramazani është muaj i vetëpërmbajtjes individuale dhe i solidaritetit kolektiv, i mëshirës hyjnore dhe i mirësisë njerëzore. Ai na fton që veten ta rigjejmë te bashkësia dhe na rikujton se begatia është bekim, ndërkaq empatia është virtyt.
Të gjithë besimtarëve e besimtareve myslimane ju uroj përzemërsisht agjërim të lehtë dhe përmbushje shpirtërore. Ky muaj i veçantë ju sjelltë paqe në shpirt dhe lumturi në zemër.
Ju bëftë mirë syfyri i parë!

