Miratimi i buxhetit për vitin 2026, opozita thotë se nuk reflekton prioritetet ekonomike
Mes kritikash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin rreth 4 miliardë eurosh, buxhet të cilit opozita ia gjeti një sërë mangësi, me theks permbajtjen dhe mënyrën e hartimit.
Për Ekonomia Online, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se buxheti nuk reflekton programin e qeverisë së re, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri vlerësoi se ai nuk sjell projekte të reja zhvillimore dhe nuk adreson prioritetet kryesore ekonomike.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti gjatë intervistës për Ekonomia Online renditi vërejtjet tek Projektligji i Buxhetit për vitin 2026.
“Po, po flas fillimisht për aspektin procedural të shqyrtimit të këtij buxheti dhe mandej po ndalem te disa çështje në përmbajtje të buxhetit. Proceduralisht qasja është e gabuar sepse ky është buxhet që është miratuar në tetor të vitit 2025. Zgjedhjet kanë mbaruar, janë kryer me 28 dhjetor, mandati është marrë nga partia që i ka fituar zgjedhjet dhe është dashur që prej 28 dhjetorit e këndej të përgatitet edhe programi qeverisës, në mënyrë që kur të votohet qeveria në Kuvend, të miratohet bazuar në një program qeverisës që u është shpërndarë paraprakisht deputetëve, jo vetëm me një ekspoze me një fjalë, e cila edhe ashtu nuk u është shpërndarë deputetëve. Edhe i cili program qeverisës nuk është reflektuar fare në buxhet. Pra ky është buxhet i tetorit 2025. Javën që shkoi ne kemi mbështetur zgjatjet buxhetore në bazë të ligjit edhe për muajin mars, pra nuk ka pasur asnjë nxitim që të sillet në Kuvend një buxhet i tetorit të vitit 2025 që nuk reflekton orientimet e reja programore të mandatit të ri të qeverisë. Kjo është sa i përket aspektit procedural, por s’ka pasë asnjë nguti, është dashur të punohet me kujdes për dy-tri javët e ardhshme, për një muaj sa do që ka nevojë deri në pjesën e dytë të marsit, ka pasë mundësi që të punohet në të, sepse edhe për marsin janë zgjatjet buxhetore në fuqi dhe të sillet pra një buxhet përmbajtësor. Por kështu si është, është praktikisht i papërmirësueshëm. Ne kemi një praktikë në Kuvend ku në mes të dy shqyrtimeve të ligjeve, ashtu siç është ky ligj, mund të bëhen amendamente të ndryshme dhe të përshtaten. Po ky si është, ky projektbuxhet si është sjellë nga qeveria, është i papërmirësueshëm përmes amendamenteve dhe ne kemi kërkuar që të kthehet prapa, të reflektojë mbi objektivat e reja të qeverisë që është zgjedhur në Kuvend, ato që janë thënë në rastin e votimit të qeverisë dhe mandej ne ta shqyrtojmë në detaje. Kjo nuk është bërë dhe tani jemi në procedura të diskutimit të këtij buxheti“, tha ai.
Hoti po vlerëson që ky buxhet është vetëm një ripërsëritje e buxheve të katër viteve të fundit.
“Sa i përket përmbajtjes së këtij buxheti, praktikisht është një ripërsëritje e buxheteve të katër viteve të fundit. Pse e them këtë? Shoh që struktura e buxhetit është përmbysur komplet. Përpara ka pasë një praktikë shumë të mirë ku raporti mes shpenzimeve kapitale dhe shpenzimeve rrjedhëse, ku hyjnë pagat, mallrat dhe shërbimet, ka qenë në favor të shpenzimeve kapitale. Për arsye se përmes shpenzimeve kapitale është ndërtuar kapitali shoqëror, kapitali publik, rrugët, autostradat, shkollat, spitalet dhe të gjitha këto objekte që janë në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe kanë mundësuar që të zvogëlohen kostot e operimit të bizneseve. Ky raport tani është përmbysur, duke u rritur tej mase subvencionet e ndryshme për të gjitha institucionet në përgjithësi sektorët, pa asnjë kriter“, u shpreh ai.
Hoti ka kritikuar edhe subvencionet dhe efektet e tyre në ekonomi.
“Po i jap dy shembuj, vazhdon me ritme rritjeje subvencioni për ndërmarrjet publike, që edhe në të kaluarën nuk kanë qëndruar mirë sa i përket sa i përket të aspekteve financiare po në vitet e fundit janë shtu subvencionet ndaj këtyre ndërmarrjeve dhe është kriju varësi e plotë e këtyrë ndërmarrjeve nga subvencionet që marrin nga shteti duke shkatërru cfarëdo lloj menaxhimi financiar brenda këtyre ndërmarrjeve dhe një rast tjetër që është skandaloz për mendimin tim është subvencionimi i bujqësisë, ne vazhdojmë ta subvencionojmë bujqësinë por nëse shohim se cfarë po prodhohet në një vend dhe cfarë po importohet sheh që për shkak të rritjes së vazhdueshme të importeve dhe të produkteve bujqësore tregon që prodhimi vendor është duke stagnu dhe duke ra që është më e keqja, mënyra see si janë shpërnda subvencionet për bujqësi duke i vonu ato subvencione duke i shty bujqit që të marrin kredi tek institucionet mikrofinanciare me norma shumë të larta të interesit dhe mandej kur këto subvencione ju paguhen bujqëve një pjesë e konsiderueshme e tyrë shkon për të pagu kreditë dhe interesat që i marrin bujqit tek këto institucione mikrofinanciare me norma që shkojnë 12,13,15,18%“, theksoi ai.
Sipas tij, problem mbetet edhe realizimi i investimeve kapitale.
“Problemi tjetër fundamental është shifra të mëdha për investime kapitale por ka 3-4-5 vjet që të gjitha arteriet kryesore e rrugëve në Kosovë janë të pa përfunduara edhe rruga për podujevë ende nuk është kry autostrada për Gjilan është mbetë qe sa vite aty ku ka qenë, rruga për Pejë rruga për Gjakovë dhe plotë projekte gjithandej nëpër Kosovë kanë mbetë në gjysmë që nga mandati i qeverive të kaluara. Këto në kohën që kanë qenë kontratat e nënshkruara me qeveritë paraprake. Edhe sikur këtë fakt ta marrësh si të mirëqenë, janë pesë vjet të qeverisjes. Ka pasur mundësi që të fillojë nga e para një projekt: nga ideja, nga plani i zbatimit, nga prokurimi, nga zbatimi dhe nga përfundimi. Pra, ka pasur mundësi të niset nga zeroja një projekt edhe të shkojë përpara.
Pra, këto janë problemet kryesore që i ka ky buxhet“, potencoi ai.
Ai ka vlerësuar negativisht edhe menaxhimin financiar në institucione.
“Menaxhimi financiar në këto vite është katastrofal. Tani, unë gjatë këtij mandati do të jem anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, mandatin e kaluar kam qenë në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Po i përcjell nga afër çështjet financiare. Nëse i sheh me kujdes raportet e auditimit për institucione qendrore dhe për ndërmarrje publike, të përgatitura nga Zyra Kombëtare e Auditimit, kurrë më keq nuk ka qenë gjendja. Kjo tregon për mënyrën se si po shfrytëzohen taksat e qytetarëve. Ka plot institucione që kanë vlerësime negative nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Dhe kjo shihet në shikim të parë nga një qytetar që nuk i ka njohuritë e detajuara se si shpenzohet buxheti i shtetit. Vetëm nëse e marrim si shembull numrin e tenderëve burimorë, që janë me mijëra, për blerjen e mallrave, shërbimeve ose për punë të tjera që nuk kanë asnjë bazë ligjore që të kryhen përmes procedurave njëburimore. Ligji është i qartë: kur një tender realizohet përmes procedurave njëburimore? Atëherë kur ka emergjencë kombëtare ose kur nuk ka treg, nuk ka kompani tjetër që e ofron atë shërbim përveç një kompanie. Por lista e mallrave, shërbimeve, produkteve e të tjera që blen qeveria përmes tenderëve njëburimorë është për çështje që nuk i përmbushin asnjë kusht ligjor për t’u kryer procedurat njëburimore.
Ka plot e plot probleme gjithandej. Vendimet ad hoc të qeverisë për shpenzime të menjëhershme gjithashtu krijojnë probleme për këtë buxhet. Pra, marrë në tërësi, ky buxhet është shpenzuar edhe në të kaluarën, dhe kështu si na ka ardhur tash, nuk i përmbush kushtet elementare për të siguruar shpërndarje të drejtë, efikase dhe për të siguruar vlerën që shteti e merr për paratë që i shpenzon“, nënvizoi ai.
Hoti ka folur edhe për rritjen e numrit të ministrive dhe punësimeve në sektorin publik derisa krahasoi gjendjen me vitin 2021.
“Unë po ju jap një informatë: krahasuar me vitin 2021, kur këta e kanë marrë mandatin, në buxhetin e vitit 2026 shifrat janë që ka mbi 5,000 të punësuar më shumë në sektorin publik, në shtet, në institucionet shtetërore. Dhe këta janë kryesisht në nivelin qendror, jo në komuna. Komunat kanë pasur një rritje të vogël të punësimit. Dhe tjetra, nëse sheh se ku janë punësuar këta njerëz, sheh që nuk janë të punësuar shtesë në arsim e shëndetësi. Sepse në arsim e shëndetësi ka një logjikë, janë disa formula për punësimin e mësimdhënësve, stafit mbështetës e të tjerë, ose në shëndetësi. Por nuk janë ato. Janë nëpër institucione të tjera që janë kryesisht administrative.
Edhe rritja e numrit të ministrive tash nuk ka asnjë lloj arsyeshmërie. Numri i të punësuarve do të rritet për disa qindra tash me kabinetet e tyre, me departamentet e tyre që duhet të formohen. Pra, është edhe një shenjë shtesë e, po e quaj kështu, abuzimit me buxhetin e shtetit nga njerëz që kanë qenë ekstremisht të zhurmshëm në të kaluarën për madhësinë e qeverisë. Kanë qenë ata që kanë promovuar një qeveri të vogël, relativisht, për të ofruar shërbime për qytetarët, ndërkohë që tash kthehen komplet, bëjnë të kundërtën dhe nuk ofrojnë asnjë arsyeshmëri, as para publikut nuk ofrojnë“, shtoi ai.
Ndërkaq Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, për Ekonomia Online ka vlerësuar se buxheti nuk përfaqëson plan zhvillimor për vitin 2026.
“Ky buxhet nuk është buxhet i vitit 2026. Në fakt, i tërë buxheti është buxhet që është miratuar në tetor të vitit të kaluar dhe është buxhet i përkohshëm, është buxhet që nuk sjell asnjë projekt të ri. 81% e vijave buxhetore të investimeve kapitale janë vazhdimësi e projekteve. Në këtë buxhet nuk përfshihet as sigurimi shëndetësor. Paramendoni, kryeministri flet për miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore, janë vetëm 10 milionë euro aty. Pra, ky buxhet është buxhet që e kthen Kosovën mbrapa, është status quo, nuk e mbështesim, dhe mbi të gjitha nuk e mbështesim për shkak se nuk po votohet buxheti për një vit, por po votohet një buxhet për disa muaj“, tha Tahiri.
Ai ka kritikuar edhe rritjen e numrit të ministrive.
“Rritja e numrit të ministrive të kësaj qeverie e ka vetëm një qëllim. Ai qëllim është që të akomodohen politikisht kolegët partiakë të Vetëvendosjes në zyrat e qeverisë për të ushtruar funksione dhe për të ushtruar ndikim politik të këtij subjekti politik. Pra, nuk është rritja reflektim i një nevoje zhvillimore të vendit, i dikastereve që do të prodhojnë zhvillim, mirëpo rritja drejtpërdrejt është për të vendosur militantë partiakë politikë në zyrat e qeverisë.
Gazetarja: Gjithashtu nga partia në pushtet ka pasur paralajmërim që do të ketë një rishikim të buxhetit. Çfarë mendoni se mund të ndryshojë, ose veçse a mendoni se do të ndryshojë apo jo?
Besnik Tahiri: Rishikimi i buxhetit ka kuptim vetëm kur ka një agjendë zhvillimore, kur ka një program. Ne shohim që as nuk ka program, as nuk ka projekte zhvillimore, as nuk ka koncept të zhvillimit të vendit. Pra, ai rishikim do të ndodhë prapë për të akomoduar një qëllim politik. Shihet që në emër të demokracisë, kjo qeveri do ta instalojë autokracinë e prishjes dhe shtrirjes në dikasteret ministrore në qeveri, në institucionet e pavarura, dhe pastaj edhe me projekte që do të ndihmojnë drejtpërdrejt zonat e tyre dhe interesat elektorale“, theksoi ai.
Ai ka përmendur edhe sektorët që, sipas tij, kërkojnë më shumë investime.
“Përfundimi i të gjitha magjistraleve me procedura të shpejta, buxheti për sigurimin shëndetësor, forcimi i shëndetësisë, investime shumë më të mëdha në arsim (veçanërisht në arsimin universitar, mirëpo edhe në çerdhe). Pastaj, tepër i rëndësishëm është koeficienti i pagave për zyrtarët publikë dhe në fund investimet kapitale të përshpejtuara në sektorin publik, sepse në qoftë se nuk ka investime kapitale, atëherë nuk ka ekonomi. Ekonomia është para kolapsit për shkak të shumë çështjeve. Dhe e fundit lidhet drejtpërdrejt me investimet në energji, çmimi i rrymës është i papërballueshëm, ndërkohë investimet nuk janë të planifikuara, në fakt investimet në energji janë ndalur nga kjo qeveri“, potencoi ai.
Tahiri përmendi edhe diskriminimin në ndarjet buxhetore nëpër Komunat e Kosovës.
“Ka një diskriminim buxhetor jo vetëm në raport me komunat, por me udhëheqjen që partitë e tjera e kanë, në këtë rast të opozitës. Shumica e projekteve kanë shkuar te komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosja“, shtoi Tahiri.
Kuvendi i Kosovës më 16 shkurt ka miratuar në parim buxhetin e vitit 2026 me vlerë 4 miliardë euro.
Ndërsa më 20 shkurt, me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar buxhetin e Kosovës për vitin 2026. Në këtë ditë u rrëzuan të gjitha amandamentet e partive opozitare.

