75 Mall Live Search
19:07 / E Diele, 22 Shkurt 2026 / F.R

Takohen Kurti dhe Hamza, nesër radha për Abdixhikun

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Kryetarin e PDK-së dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza.

Kurti falënderoi Kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar.

Në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik.

Poashtu, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm.

Kurti ka paralajmëruar se nesër do të takohet me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të vijuar konsultimet politike në prag të zgjedhjes së Presidentit./IndeksOnline/