75 Mall Live Search
13:55 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / KV

Albin Kurti priti përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik për zhvillim dhe reforma

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim përfaqësuesin e përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Në këtë takim të parë prej formimit të qeverisë së re, Queirós e uroi Kurtin për mandatin e tij dhe të kabinetit qeveritar.

Kurti e falënderoi Queirósin për urimet dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe profesional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP-ja mbetet një partner i besueshëm dhe strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për vazhdim të bashkëpunimit në fusha prioritare si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe transicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kurti theksoi se reforma në prokurimin publik mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike. Në këtë drejtim, do vazhdojmë me miratimin e strategjisë anti korrupsion dhe Ligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Të dyja palët u pajtuan se bashkëpunimi i deritashëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.