BDI: Gjykata dhe prokuroria të mos ndikohen nga presionet politike për rastin e Artan Grubit
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë të thellë për mënyrën se si një numër partish politike kanë politizuar rastin e Artan Grubit përmes deklaratave dhe paraqitjeve të tyre publike. Pavarësisht dallimeve politike, është e papranueshme që proceset juridike të zhvendosen nga korniza institucionale dhe ligjore e garantuar me Kushtetutë dhe të shndërrohen në instrument të debatit partiak, theksojnë nga BDI-ja në kumtesën.
Dy ditët e fundit kemi parë se si parti politike, funksionarë të lartë dhe aktivistë të tyre kanë krijuar një klimë histerie dhe presioni publik, duke shpallur qëndrime që nënkuptojnë fajësi të parapërcaktuar. Me këtë qasje ata marrin rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit, flasin për masa dhe pasoja, madje edhe ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit dhe prokurorisë, pa asnjë respektim të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë. Fakti që deklarata të tilla vijnë edhe nga parti që janë pjesë e pushtetit ngre shqetësim serioz për ndërhyrje të mundshme të pushtetit ekzekutiv në proceset gjyqësore.
Riafirmojmë qëndrimin tonë se çdo ish-apo funksionar aktual për të cilin ekzistojnë dyshime gjatë ushtrimit të detyrës duhet të përballet me institucionet dhe procedurat përkatëse në vend. Në këtë kuptim, e konsiderojmë të drejtë vendimin e Artan Grubit për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë dhe për t’i paraqitur argumentet e tij në kuadër të procedurës institucionale. Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse shteti garanton një proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent, të liruar nga ndikimet partiake dhe presionet politike.
U bëjmë thirrje gjykatave, prokurorisë dhe të gjitha organeve kompetente që të veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, duke mos lejuar që klima politike të ndikojë në punën e tyre. Pavarësia e sistemit gjyqësor është shtyllë e sundimit të ligjit dhe detyrim kushtetues, e jo çështje e interpretimeve politike. Presim që procesi të zhvillohet me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë, të drejtave procedurale dhe dinjitetit të çdo personi të përfshirë, thanë nga BDI-ja.
Bashkimi Demokratik për Integrim do ta ndjekë me vëmendje të gjithë procedurën në çdo fazë të saj dhe do të reagojë ndaj çdo forme selektiviteti, standardi të dyfishtë apo instrumentalizimi politik të drejtësisë.

