U kap në Merdar me 1 milion euro, pezullohet efektivi i policisë, Aurel Kaziu
Efektivi i Policisë së Shtetit në Komisariatin nr. 5 të Tiranës, Aurel Kaziu, 28 vjeç, i arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare të Merdarit nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Sipas informacionit zyrtar, Kaziu kishte përfunduar shërbimin e natës dhe kishte dy ditë pushimi, por nuk kishte njoftuar eprorët për daljen jashtë kufijve.
Efektivi, pjesë e policisë prej rreth 3 vjetësh, më parë është marrë edhe me transportin e mallrave nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës dhe Britanisë së Madhe dhe anasjelltas, përfshirë emigrantët shqiptarë.
Sasia e parave të sekuestruara, rreth 1 milion euro, dyshohet se i përkasin aktiviteteve kriminale dhe Kaziu, së bashku me dy persona të tjerë, po i transportonin në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet shqiptare pritet të kontaktojnë me ato kosovare për të sqaruar rrethanat e plota të përfshirjes së efektivit.

