Tha se ishte dhunuar nga dy persona, e dyshuara nga Vushtrria bëri lajmërim të rremë
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar hapjen e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” ndaj një personi me iniciale V.V., përkitazi me një denoncim të një dhunimi që e njëjta ka paraqitur ndaj dy personave.
Personi në fjalë ka deklaruar se është dhunuar nga dy burra, të cilët me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë, transmeton IndeksOnline.
“Me urdhër të prokurorit, personi që e ka denoncuar dhunimin është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku pas ekzaminimit tek e dëmtuara nuk janë konstatuar kurrfarë dëmtime në organet gjenitale, e për rrjedhojë nuk janë realizuar asnjëra nga elementet e veprave penale kundër integritetit seksual, e po ashtu asnjë vepre tjetër penale, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në mungesë të këtyre elementeve të pandehurit janë liruar nga qendra e ndalimit ku ishin vendosur paraprakisht, ndërkaq rasti ndaj denoncueses vazhdon në procedurë të rregullt.

