“Do të jem i kënaqur vetëm me titullin botëror” – Rrëfimi ekskluziv i “Ariut shqiptar”
Me një rekord perfekt 16–0, karriera e “Ariut shqiptar” po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por pavarësisht ecurisë së pandalshme në ring, Reshat Mati mbetet kërkues ndaj vetes dhe i etur për sfida më të mëdha.
Gjatë një interviste ekskluzive për Indeksonline.net, Mati foli për karrierën e deritashme dhe për të ardhmen e tij.

I pamposhtur, por jo i kënaqur
Edhe pse 16 fitore pa asnjë humbje është një nisje ëndrrash për çdo boksier profesionist, Mati pranon se nuk ndihet ende i përmbushur.
“Nuk jam i kënaqur me karrierën time për momentin për shkak të dëmtimeve dhe qëndrimit jashtë ringut. Do të jem i kënaqur kur të vijnë ndeshjet e mëdha dhe kur titulli botëror të jetë i lidhur rreth belit tim”, u shpreh Mati për Indeksonline
Sfida që e formoi
Kur pyetet për përballjen më të vështirë në karrierë, ai ndalet te dueli në Mexico City.
“Do të thosha ndeshja në Mexico City. Arena, lartësia mbidetare dhe helmimi nga ushqimi. Ajo më mësoi të gërmoj thellë brenda vetes dhe të luftoj përmes vështirësive.”
Ishte pikërisht ajo mbrëmje që testoi jo vetëm forcën fizike, por edhe karakterin e tij.

Gati për hapin e madh
Pas rikthimit nga dëmtimi i fundit, “Ariu Shqiptar” ndihet i gatshëm për një nivel më të lartë kundërshtarësh, edhe pse ende po vendos mes kategorisë 66 kilogram apo rikthimit në 61 kilogram.
“Ndihem gati. Jam ende i pavendosur për peshën, 147 apo 140 lbs, por jam gati për hapin tjetër.”

Ai madje ka edhe objektiva të qartë:
“Të gjithë kampionët në 147 lbs janë objektiv, madje edhe para se të bëhem kampion bote. Lewis Crocker, Ryan Garcia dhe Rolly Romero.”
Strategjia dhe instinkti
Sa i përket përgatitjes taktike, Mati i beson shumë ekipit të tij.
“Studimin ua lë trajnerëve të mi – ata do të gjejnë dobësitë e kundërshtarëve. Unë preferoj t’i zbatoj gjatë ndeshjes.”

Misioni: Kampion Bote dhe krenari kombëtare
“Synimi im është të bëj një impakt të madh shumë shpejt. Të zhvilloj 1 ose 2 ndeshje dhe pastaj të kaloj në duele më të mëdha për tituj botërorë.”
Si një shqiptar që po ndërton karrierën në SHBA, përfaqësimi i flamurit kuqezi është thelbësor për të.
“Ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua të përfaqësoj trashëgiminë time – shqiponja është gjithmonë në veshjet e mia dhe flamujt rreth meje. Misioni im është të bëhem kampioni i parë botëror shqiptar!”
“Ariu Shqiptar” duket se po afrohet gjithnjë e më shumë drejt ëndrrës së madhe. Nëse vazhdon me këtë ritëm, bota e boksit mund të jetë shumë shpejt dëshmitare e historisë./Indeksonline/ Granit Tërstena

