Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Britanisë, diskutohet mes Konjufcës dhe Hargreaves
Zëvendëskryeministri i Parë, njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të lëshuar nga MPJD, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Postimi i plotë:
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Sh.T. Jonathan Hargreaves.
Në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, Ambasadori Hargreaves e uroi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin e ri dhe rikonfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Palët riafirmuan qëndrimet e përbashkëta në mbështetje të Ukrainës dhe kundërshtimin e agresionit rus, si dhe theksuan nevojën për koordinim të vazhdueshëm në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.
Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar./Indeksonline/

