Drejt 4 marsit pa emër për kreun e shtetit
Kanë mbetur edhe gjashtë ditë, nga afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, megjithkëtë ende nuk ka as emra konkret e as marrëveshje konkrete. Ditë më parë kryeministri Kurti deklaroi se po bën çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, që do të pasonin nga moszgjedhja e presidentit.
Ajo që është e qartë, mbetet një emër konsensual, por pa emërtim të përvetshëm. Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi, në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Teksa po ngushtohet afati për nisjen e procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, takimet e ditëve të fundit mes kryetarëve të partive politike nuk kanë prodhuar asgjë konkrete. Të paktën jo nga deklarimet publike që janë bërë.
Tash kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë pune nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pos që nuk ka emra konkret, në paqartësi mbesin edhe marrëveshjet eventuale konkrete. Pas mohimit të interesimit për këtë pozitë, nga familja Jashari, që u lakua nga kryediplomati Konjufca si një konsensus automatik në shoqëri, partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë një emër me reputacion e integritet vendor e ndërkombëtar, që ka kontribute intelektuale dhe që i bën nder Kosovës dhe qytetarëve.
Kështu të paktën deklaroi, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arian Tahiri, duke nënvizuar se janë të gatshëm të propozojnë një emër për president.
“Vazhdojna me mbetë brenda këtyre qëndrimeve në kuptim të asaj që me diskutu në parim edhe në standard se kush do të duhej t’i plotësonte këto atribute pët të qenë president i vendit”, pohoi ai.
Ndërkohë që PDK vazhdon të flas përgjithshëm, LDK nënvizon se emri dhe zgjidhja për kreun e shtetit janë në dorën e partisë në pushtet.
Kujtim Shala, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se “I takon partisë fituese që të udhëheqë procesin”.
“Nuk e kemi diskutuar, nuk kam informacione”, tha Shala.
Vetëvendosje ende nuk ka qëndrim publik për këtë çështje.
E njohës të zhvillimeve politike, vlerësojnë se pa një kompromis mes partive vendi do të shkojë në zgjedhje, ndonëse ka ende kohë për një marrëveshje.
“Nuk është vonë, edhe me pasë marrëveshje politike,e në marrëveshje politike, o duhet të hyjë në qeveri në këtë rast PDK, ose duhet ti jepet e drejta PDK që të nominoj një kandidat dhe që të këtë të sigurt votat e deputeteve të LVV-së, për këtë duhet ta kesh besimin se do të votohet, përndryshe në garë fiton kandidati i Vetëvendosjes”, tha Sadik Zeqiri, njohës i zhvillimeve politike.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani që kohë më parë e bëri të qartë se synon edhe një mandate ne krye të shtetit, nuk i ka komentuar takimet e fundit mes liderëve partiak dhe as nuk ka deklaruar nëse i ka mbledhë 30 nënshkrime për ti hyrë garës që më së voni duhet të nisë si proces më 4 Mars.

