75 Mall Live Search
10:17 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / S Z

Shtrenjtim rryme për 18%?

Derisa në Kosovë aktualisht vëmendjen me të madhe e kanë zhvillimet politike, Zyra e Rregullatorit për Energji po vazhdon të shqyrtojë mundësinë për shtrenjtim të rrymës. Kjo zyrë bëri të ditur se janë duke analizuar dhe shqyrtuar mundësinë e shtrenjtimit të tarifave.

“Vlerësimi i këtyre aplikacioneve është në proces dhe po kryhet nga ekspertët e ZRRE-së, përmes analizës së detajuar teknike dhe financiare, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Në këtë fazë, ZRRE nuk mund të paragjykojë rezultatet e shqyrtimit. Pas përfundimit të vlerësimit, raportet përkatëse dhe propozimet tarifore do të publikohen dhe do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejme, përfshirë konsultimin publik, para marrjes së çdo vendimi final.”

KOSTT-i KEDS-i dhe KESCO, për vitin 2026 kanë kërkuar që energjia elektrike të shtrenjtohet për 18% . Në bazë të aplikacioneve të tyre për të hyrat e lejuara maksimale, tre operatorët energjetik kanë kërkuar që ato të kenë të hyra në total 863.21 milion euro nga rreth 730 milion sa u lejua nga ZRRE vitin e kaluar. Një ndër arsyetimet e operatorëve energjetik për shtrenjtim të rrymës u tha të jetë edhe rritja e pagës minimale. Megjithatë, për qytetarët një shtrenjtim tjetër i rrymës, po shihet si goditje për ekonomitë e tyre pasi që edhe faturat aktuale janë të papërballueshme. Qytetarët theksuan se nuk e kuptojnë arsyen e faturave të larta meqë sipas tyre në vazhdimësi kursejnë energjinë elektrike.

“Unë nuk e di 85 euro më ka ardh une vet jetoj e kam edhe një shporet për me u nxehë, nuk e di nuk kom koment”.

“Unë jetoj në fshatin Preljep t Deçanit aktualisht jetoj veç me vajzën me u nxeh e kemi shporetin edhe prap 65 euro më ka ardh rryma. Na ja kemi jep votën me na lehtësu jetën, ky don me na përzan edhe neve ma në moshë me ikë prej ktu sepse rinia veç na iki…”, u shpreh një qytetar për rtv21

“Le ta shtrenjtojnë nuk e di çka me thanë se ku po i nxjerrin llogaritë nuk e di…”, tha një qytetar tjetër për rtv21

Krahas shtrenjtimit të rrymës institucionet do të duhej që të ndërmerrnin edhe masa për lehtësimin e jetës së qytetarëve, thotë drejtori i dhomës së tregtisë Kushtrim Ahmeti. Ai përmend heqjen e TVSH-së për produktet esenciale si kërkesë e dhomës së tregtisë drejtuar ministrisë së financave.

“Të hiqet TVSH prej 10% në produktet esenciale të hiqet taksa në faturën e rrymës ndoshta do ta balanconte sa do pak këtë shtrenjtimin e rrymës. Ne paguajmë taksë veç pse është ora e rrymës e vendosur…”, tha Ahmeti për rtv21

Ahmeti ka shprehur habinë se si Kuvendi deri më tani nuk e ka ftuar ende ZRRE-në për raportim, pasi sipas tij, shtrenjtimi i rrymës por edhe liberalizimi i tregut energjetik është një ndër shkaktarët kryesor pse në Kosovë shkalla e inflacionit ka shkuar mbi 5%.

“Tash ne kemi kuvend me mandat të plotë dhe deri më tani nuk kam pa iniciativë që ta ftojnë ZRRE-në për raportim…”

Sipas matjeve të fundit të Agjencisë së Statistikave në Kosovë për muajin janar shkalla e inflacionit është 5.8 %, ndërsa vetëm energjia elektrike u tha se ka shënuar rritje prej 16.7% për dallim nga janari i vitit të kaluar.