Donjeta Sadiku në finale të “Strangja”, synon medaljen e artë
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka siguruar finalen e turneut prestigjioz të boksit amator “Strangja”, që po zhvillohet në Sofje.
Me një paraqitje mbresëlënëse në gjysmëfinale, Sadiku dominoi përballjen ndaj egjiptianes Ayyad Yomna, duke e mposhtur pas tre raundesh dhe duke prerë biletën për finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë.
Me këtë sukses, ajo tashmë e ka të sigurt një medalje, por objektivi i saj mbetet i qartë – medalja e artë. Kujtojmë se vitin e kaluar Sadiku triumfoi në këtë turne, i cili konsiderohet si më i vjetri në boksin amator në Evropë.
Në dy meçet paraprake, Sadiku tregoi superioritet të plotë, duke i fituar të dyja me rezultat të pastër 5-0 ndaj çekes Barbora Maxova dhe ukrainases Veronika Korets.
Finalja do të zhvillohet të dielën nga ora 14:00, ku Sadiku do të synojë të mbrojë titullin dhe të rikthehet sërish me medaljen e artë.

