Rritet numri i udhëtarëve dhe fluturimeve në aeroportin “Adem Jashari”, viti 2025 shënon rekord
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, sektori i transportit ajror në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, duke arritur nivelin më të lartë në vitin 2025. Gjatë këtij viti janë realizuar gjithsej 14,516 fluturime, që paraqet një rritje prej 11.7%, krahasuar me vitin 2024.
Po ashtu, numri i përgjithshëm i udhëtarëve ka arritur në 4,595,524, ose 12.7% më shumë se në vitin paraprak, duke reflektuar rritjen e kërkesës për udhëtime ajrore dhe zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit të aviacionit në vend.
“Në vitin 2025 gjithsej numri i fluturimeve të realizuara ishte 14,516 apo 11,7 % më shumë së në periudhën e kaluar (viti 2024) ndërsa numri i udhëtareve gjithsej ishte 4 595 524 apo 12,7 % më shumë së në periudhën e kaluar”, thuhet në raportin e ASK-së.
Të dhënat tregojnë një trend pozitiv që nga viti 2021, pas rënies së ndjeshme në vitin 2020, kur për shkak të pandemisë numri i fluturimeve dhe udhëtarëve kishte pësuar rënie të konsiderueshme.
Nga 4,236 fluturime dhe 1,102,016 udhëtarë në vitin 2020, sektori është rikuperuar fuqishëm, duke kaluar 13,001 fluturime dhe mbi 4 milionë udhëtarë në vitin 2024, për të arritur kulmin në vitin 2025.


