75 Mall Live Search
10:58 / E Mërkurë, 04 Mars 2026 / P M

​Eksperti holandez vazhdon dëshminë, sot nis edhe dëshmitari i tretë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e ekspertit holandez, Koen Herlaar.

Avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees, ka pyetur dëshmitarin lidhur me “defektet e mundshme sa i takon cilësisë së imazheve që kanë marrë”, raporton KosovaPress.

Ai kërkoi sqarime nga dëshmitari lidhur me dokumentet e ekzaminuara dhe që kanë përmbajtur mikropika se a janë ngjyrosur nga një pajisje tjetër që, siç tha ai, mund të krijojnë modele të përziera.

Pas këtyre pyetjeve, prokurori i specializuar, Joshua Hafetz ka kërkuar që të vijohet në seancë private.

Gjatë përditësimeve të kohës që ju duhen për pyetjet për këtë dëshmitar, prokuroi Hafetz tha se do u duhen edhe 45 minuta kohë.

Gjyqtari Christoph Gosnell tha se në pjesën e dytë të ditës do të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të tretë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

Dëshmia e holandezit, i cili është ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës ka nisur dje. Pyetjet e palëve kryesisht janë zhvilluar në seancë private.

Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.