Çitaku akuzon Kurtin: Po e shtyn vendin drejt krizës për pushtet total
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë se po e çon vendin drejt një krize të re politike për interesa personale.
Në një postim publik, Çitaku ka deklaruar se tashmë është e qartë që Kurti nuk po kërkon zgjidhje, por “pushtet total”.
Sipas saj, në një kohë kur Kosova ka nevojë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, kryeministri me vetëdije po e thellon situatën politike.
Postimi i plotë:
Tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total.
Në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike.
Jo sepse nuk kishte rrugëdalje. Përkundrazi, zgjidhja ishte aty. Mundësia për marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit ekzistonte por Kurti zgjodhi krizën.
Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit.
Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po ua imponon ai.
Institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt, e aq më pak e një njeriu që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete.
Kosova është më e madhe se ambicia e kujtdo./Indeksonline/

