Transportuesit e linjës Prizren – Prishtinë kërkojnë masa kundër transportit ilegal
Kompanitë transportuese që operojnë ligjërisht në linjën Prizren – Prishtinë – Prizren kanë shprehur shqetësim të madh lidhur me shtimin e transportit ilegal të udhëtarëve, i cili sipas tyre po realizohet përmes aplikacioneve të ndryshme dhe personave të paautorizuar.
Sipas transportuesve të licencuar, prej një kohe disa persona po marrin udhëtarë pa poseduar licencë dhe jashtë çdo rregulli ligjor, duke zhvilluar aktivitet të paligjshëm dhe duke dëmtuar kompanitë që operojnë në mënyrë të rregullt dhe paguajnë të gjitha obligimet ndaj shtetit.
Ata theksojnë se kjo situatë përbën konkurrencë të padrejtë dhe një goditje për bizneset që respektojnë ligjin dhe rregullat e transportit publik.
Transportuesit i bëjnë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa urgjente për të ndalur këtë fenomen, duke theksuar se transporti ilegal jo vetëm që dëmton ekonominë, por mund të rrezikojë edhe sigurinë e udhëtarëve.
Në reagimin e tyre, kompanitë kërkojnë nga institucionet përkatëse që të ndërhyjnë për të vendosur rend dhe ligj në transportin publik në këtë linjë.


