Dy raste të vjedhjes së rëndë në Han të Elezit, hajnat marrin para, ari dhe pushkë gjuetie
Dy raste të vjedhjes së rëndë janë raportuar mbrëmjen e së martës në fshatin Pustenik të Hanit të Elezit, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Sipas policisë, rasti i parë është raportuar rreth orës 19:40, ku persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shtëpinë e një qytetari dhe kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme.
Ndërkohë, në një rast tjetër po në të njëjtin fshat dhe në të njëjtën kohë, persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shtëpinë e një viktime tjetër, prej nga kanë marrë dy pushkë gjuetie dhe stoli ari.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e të dy rasteve./IndeksOnline/

