75 Mall Live Search
14:57 / E Mërkurë, 03 Qershor 2026 / P M

Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar fillimin e negociatave për heqjen e roaming-ut me shtetet e Ballkanit Perëndimor, është konfirmuar jozyrtarisht nga Këshilli i BE-së.

Vendimi ka të bëjë me hapjen e negociatave me Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për roaming-un në rrjetet publike të komunikimeve mobile.

Këshilli i BE-së pritet që të enjten, më 4 qershor, ta miratojë zyrtarisht vendimin, dhe më pas mund të nisin negociatat me secilin shtet të rajonit në mënyrë individuale.

Nga Presidenca qipriote e Bashkimit Evropian u tha se mbështesin fuqishëm rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi i zonës pa roaming është një shenjë e qartë e përkushtimit tonë ndaj rajonit. Mirëpresim miratimin formal të vendimit me të cilin autorizohet hapja e negociatave për marrëveshjet”, deklaroi një zëdhënës i Presidencës që udhëhiqet nga Qiproja.

Komisioni Evropian në muajin shkurt kishte propozuar heqjen e roaming-ut për Ballkanin Perëndimor.

“Roam Like at Home” (Pa tarifa shtesë) zbatohet në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja është zgjeruar edhe për Ukrainën dhe Moldavinë, edhe pse këto vende nuk janë anëtare të BE-së.

Zyrtarët evropianë presin që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Në një skenar ideal, roaming-u midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mund të hiqet që vitin e ardhshëm. Megjithatë, zyrtarët evropianë theksojnë se gjithçka varet nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të përparuar në këto negociata.