AKK-ja reagon pas raportit të MAPL-së për funksionimin e komunave
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar lidhur me gjendjen financiare të komunave, duke theksuar se rritja e buxhetit për vitin 2025 nuk ka sjellë përfitime reale për nivelin lokal.
Sipas të dhënave të raportit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal buxheti i komunave është rritur nga mbi 841 milionë euro në vitin 2024 në rreth 864 milionë euro në vitin 2025, që përbën një rritje prej rreth 23.2 milionë euro.
Megjithatë, sipas Ibrahimit, kjo rritje është kryesisht nominale dhe nuk reflekton mbështetje të vërtetë për zhvillimin lokal. Ai thekson se mbi 15 milionë euro nga kjo rritje janë shpenzuar për paga dhe mëditje, si pasojë e vendimeve të nivelit qendror për rritjen e pagave në sektorin publik.
“Kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i vendimeve të nivelit qendror për rritjen e pagave në sektorin publik, dhe jo një politikë që rrit kapacitetin zhvillimor të komunave. Në këtë kontekst, vetëm rreth 7.8 milionë euro kanë mbetur për të gjitha kategoritë tjera, përfshirë mallrat dhe shërbimet, shpenzimet komunale, subvencionet dhe investimet kapitale. Kjo tregon qartë se hapësira për investime dhe projekte zhvillimore është shumë e kufizuar” thotë ai.
Në anën tjetër, ai vlerëson performancën e komunave në rritjen e të hyrave vetanake, por shton se kjo përpjekje po zbehet nga barrat financiare që nuk varen nga pushteti lokal.
Sipas tij, komunat kanë humbur mbi 126.6 milionë euro si rezultat i vendimeve gjyqësore, kryesisht të lidhura me obligimet nga kontratat kolektive për sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Ai thekson se rreth 27% e këtyre mjeteve janë shpenzuar për kosto procedurale, si përmbarues dhe avokatë, duke mos përfunduar drejtpërdrejt te përfituesit.
“Krahasimi është i qartë: ndërkohë që buxheti është rritur për rreth 23 milionë euro, komunat kanë humbur mbi 126 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e rritjes është konsumuar për paga dhe mëditje. Kjo nuk përbën mbështetje reale për komunat, por një pasqyrë të një sistemi financiar ku rritja nominale e buxhetit neutralizohet nga vendimet qendrore dhe detyrimet e trashëguara” deklaroi Ibrahimi.
Ai përfundon se komunat nuk kanë nevojë për rritje formale në letër, por për mbështetje konkrete që përkthehet në investime kapitale, zhvillim lokal dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

