75 Mall Live Search
17:12 / E Mërkurë, 01 Prill 2026 / G T

“Kush e kishte menduar play-offin?”, Fidan Aliti: Jemi të zhgënjyer, por krenar me rrugëtimin!

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti, ka reaguar në rrjetet sociale pas humbjes minimale 0:1 ndaj Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke i dhënë fund ëndrrës për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Në një mesazh emocional, Aliti ka shprehur zhgënjimin për rezultatin, por edhe krenarinë për rrugëtimin e skuadrës në këtë kampanjë kualifikuese.

“U mbyll kapitulli për Botërorin 2026. Jam krenar për çdo njëri që ka qenë në këtë rrugëtim në këtë kampanjë kualifikuese. Kush ka menduar pas ndeshjes së parë ndaj Zvicrës se do të jemi në finale të Play-Off? Askush, por ne besuam deri në sekondën e fundit dhe donim të shkruajmë histori për popullin tonë.

“Për momentin jam i zhgënjyer si unë dhe shokët e ekipit kombëtar, por pas disa dite do të kalojë zhgënjimi dhe do të jemi të gjithë krenar për rrugëtimin tonë. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen dhe Forca Kosova”, ka shkruar Aliti

Kosova e mbyll kështu një cikël historik kualifikues, ku arriti deri në finalen e Play-Off-it, duke tejkaluar pritshmëritë fillestare dhe duke ndezur shpresat e tifozëve për një kualifikim të mundshëm.

Pavarësisht eliminimit, paraqitjet e Kombëtares gjatë këtij edicioni konsiderohen si një hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare./Indeksonline/