KOSTT-i hap konkurs të jashtëm, kërkon dy drejtorë për bordin drejtues
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike e Republika e Kosovës ka shpallur konkurs të jashtëm për plotësimin e dy pozitave për drejtorë të bordit të operatorit të sistemit të transmetimit (KOSTT), shkruan Indeksonline.
Sipas njoftimit, procesi i rekrutimit synon përzgjedhjen e profesionistëve me integritet të lartë dhe përvojë të dëshmuar në menaxhim. Kandidatët duhet të kenë së paku pesë vjete përvojë pune në nivele të larta drejtuese në fusha si administrimi i biznesit, financat, bankat, konsulenca apo industri të ngjashme. Të drejtë aplikimi kanë edhe profesionistë të kualifikuar si kontabilistë apo juristë me përvojë relevante.
Në konkurs janë përcaktuar kritere të rrepta ligjore dhe profesionale. Kandidatët nuk duhet të kenë dënime për vepra penale apo civile që lidhen me korrupsion, mashtrim apo keqpërdorim detyre, si dhe nuk duhet të kenë shkelje të etikës profesionale. Po ashtu, kërkohet që aplikuesit të mos kenë konflikt interesi, lidhje biznesore me ndërmarrjen përkatëse apo përfshirje në aktivitete politike gjatë 36 muajve të fundit.
Mandati i drejtorëve të bordit është katërvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër, ndërsa kompensimi do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Afati për aplikim është i hapur nga 13 marsi deri më 13 prill 2026. Aplikimet mund të dorëzohen fizikisht në objektin e ish- “Rilindjes” në Prishtinë, përmes postës ose në mënyrë elektronike.

