75 Mall Live Search
18:37 / E Mërkurë, 08 Prill 2026 / Z S

Arrestohet një i dyshuar për vjedhje, i njëjti pranon së paku pesë raste të vjedhjes

Gjatë ditës së sotme pas një pune operative-hetimore në terren dhe grumbullimit të dëshmive, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”.

Gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë, në trupin e të dyshuarit, është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”.

Lidhur me rastin, në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.

I dyshuari, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Ndaj tij, me vendim të prokurorit kujdestar, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu sot, në orët e hershme të mëngjesit, policia ka arritur të arrestojë në flagrancë tre të dyshuar në një rast të vjedhjes së rëndë.

Të dyshuarve u është sekuestruar një sasi e bizhuterive të arit të vjedhura, si dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës.

Pas përfundimit të procedurave, stolitë e arit i janë kthyer pronarit të ligjshëm, ndërsa tre të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë./Indeksonline/