Slot para ndeshjes me PSG-në: Do të jetë e vështirë por jo e pamundur
Liverpoolin e pret një test i vështirë nesër në “Anfield”.
Ata do të presin kampionin në fuqi të Evropës, PSG në ndeshjen e kthimit të çerek-finales në Ligën e Kampionëve.
“Reds”, tentojnë t’i hakmarren francezëve për eliminimin e vitit të kaluar në raundin e 1/8-tave, pikërisht në “Anfield” ku PSG i mposhti në gjuajtjet e penalltive.
Para ndeshjes, trajneri i Liverpoolit Arne Slot u shpreh se ndeshja do të jetë e vështirë por jo e pamundur sa i përket një rikthimi.
“Ekziston besimi se mund të bëjmë gjëra të veçanta nesër. Por duhet të jemi shumë, shumë, shumë të veçantë pasi luajmë kundër kampionëve evropianë. Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur”, u shpreh Slot.
Kujtojmë se ndeshja do të luhet nesër, në orën 21:00./IndeksOnline/

