Juristët me dilema për byronë e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë
Pak ditë pas miratimit në parin të projektligjit për krijimin e byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, kryeministri Kurti solli sërish në vëmendje një frazë të cilën nuk e kishte përmendur që nga viti 2021, që shpërfaqë shpërputhje mes të ardhurave dhe pasurisë së deklaruar.
“E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjella si ankesa në Gjykatën Kushtetuese, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim. Byroja do të jetësohet, sepse me të përfundimisht do të marrë fund ajo parullë që kurrë nuk do të duhej të na përsëritej në të ardhmen: ‘rroga e vogël, fitimi i madh”, tha Kurti.
Iniciativa për formimin e byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme u morën qysh në vitin 2021. Përmbajtjen e tij për së paku dy herë e kishte rrëzuar Gjykata Kushtetuese, një numër vërejtjesh kishte pasur edhe Komisioni i Venecias.
Ministrja e drejtësisë Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të këtij projektligji në Kuvend, ka thënë se janë marr parasysh si rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe ato të Komisionit të Venecias.
Ndërkohë profesori i së drejtës penal Ismet Salihu vlerëson se një ligji i tillë për t’u vënë në funksion nevojitet së paku një vit përgatitje intensive.
Incizim- Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale
“Nevojitet përgatitje e madhe, është punë e madhe kjo formimi i byrosë nuk është e lehtë. Pastaj është e rëndësishme të sjellë rezultate dhe Kosova duhet të marrë shembull dhe praktika nga shtete të tjera. Ne kemi SPAK-un në Shqipëri e cila ka sjellë mjaft shumë rezultate si e tillë është e mirëseardhur…”
Qeveria ka qartësuar se byroja nuk konfiskon pasuritë, apo zëvendësojë gjykatat.
Në kuadër byros me verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme merren organet e rendit dhe gjyqësisë.
Formimi i një organi të tillë, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani, do t’u jepte fund spekulimeve për zyrtarët publikë.
“Kjo është punë e mirë sepse të paktën verifikohet dhe vërtetohen ato spekulimet por edhe përceptimet që janë krijuar ndër vite për zyrtarët publik sepse në Kosovë në vazhdimësi ka akuza për zyrtarët publik…”, tha Hasani për rtv21
Megjithatë, përkundër faktit se qeveria deklaroi se ka marrë parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias por edhe shqyrtimet kushtetuese, hulumtuesi i IKD-së Vullnet Bugaqki ka dilemat e tij lidhur me funksionimin e këtij ligji.
“Kemi peridhën kohore për verifikimin e pasurisë që është 10-vjeçar. Që i bie se në rast se ligji hyn në fuqi në vitin 2027 atëherë zyrtarët publikë që dyshohen për keqpërdorim hetohen vetëm pas viti 2017 pra nuk hetohen para atij viti. Pastaj kemi drejtori i byrosë parashihet të zgjidhet me votat e shumicës parlamentare, dhe të ketë kompetenca të plota në inicimin e procedurave për verifikim të pasurisë, i njëjti mund të vendos edhe që të ndalet verifikimi i pasurisë për një zyrtar publik…”, tha Bugaqki.
Ndërkohë, projektligji për byronë mund të dështojë të procedohet për lexim të dytë, për shkak të situatës politike me presidentin

