Arrestohen dy persona për falsifikim dokumentesh, njëri dërgohet në mbajtje
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, ku dy persona janë shoqëruar në polici.
Sipas raportit të policisë, më 20 maj 2026, rreth orës 07:30, në koordinim me prokurorin për krime të rënda, janë kontrolluar dy lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, me qëllim të sigurimit të provave materiale.
Gjatë aksionit janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin se në bashkëveprim kanë kryer falsifikim të dokumenteve.
Policia ka bërë të ditur se si prova materiale janë sekuestruar një laptop, telefona, para në euro dhe dokumentacione të tjera.
Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet në procedurë hetimore./IndeksOnline/

