75 Mall Live Search
07:52 / E Diele, 07 Qershor 2026 / F.R

Hapet votimi në Pejë, mungon tavolina informuese në shkollën Lidhja e Pejës

Në qendrën e votimit në shkollën “Lidhja e Pejës”, në Pejë, siç informoi edhe menaxherja e kësaj qendre, Mejreme Kolica-Shatri, tashmë prej disa proceseve zgjedhore mungon tavolina informuese.

Ajo tha se gjithsej në këtë shkollë të drejtë vote kanë 4.229 votues, ndërsa sipas saj tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet.

“Po, gjithçka është gati. Janë bërë të gjitha përgatitjet. Të drejtë vote kanë prej orës 07:00 dhe çdo gjë është në rregull. Numri i votuesve në këtë qendër është 4.229. Mund të votohet në pesë vendvotime. Materialin sensitiv dhe josensitiv e kemi marrë me kohë, kam qenë edhe vetë pjesëmarrëse. Kemi bërë me herët që të ketë tavolinë informuese, por ajo mungon, sidomos në zgjedhjet e fundit, dhe kemi kaluar në procesin me libër. Roli i tavolinës është që votuesi të orientohet më lehtë, por prapëseprapë informatat janë të vendosura në derë, në mënyrë që qytetarët të informohen për votimin. Jemi mësuar pak, shkakton probleme, por tashmë janë mësuar edhe votuesit dhe e dinë që jemi në qendër të votimit. Megjithatë, do të ishte mirë të ishte edhe tavolina informuese”, tha ajo.

Ndërsa, ajo theksoi edhe një problem, se punëtorët teknikë, edhe pse janë të angazhuar, nuk paguhen për angazhimin e tyre. Sipas saj, problem tjetër është edhe mosardhja me kohë e komisionerëve në qendrën e votimit.