DnV: Qytetarët po votojnë me dokumente të pavlefshme
Demokracia në Veprim përmes vëzhguesve të saj në të gjitha qendrat e votimit, ka bërë të ditur se po lejohen qytetarët me dokumente të pavlefshme (afat të skaduar) të votojnë.
Ky fenomen më së shumti është shprehur në komunën e Prizrenit dhe Gjakovës.
Po ashtu, qytetarët kanë pasur probleme me gjetjen e qendrës së votimit të tyre.
Eugen Cakolli në një konferencë për media tha se deri më tani nuk ka pasur parregullsi serioze që mund të kenë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Është raportuar që nuk ka pasur parregullsi serioze që mund të kenë ndikim në mbarëvajtjen e procesit. Sidoqoftë disa prej mangësive kryesore të cilat janë të nivelit procedural përfshijnë problemit me praninë e votuesve nëpër vendvotime të gabuara. Pavarësisht afateve të shkurtra për organizmin e zgjedhjeve, KQZ vlerëson ka raportuar me kohë votuesit për qendrat e tyre dhe për mundësitë e ndryshimit të saj. Deri në mesditë ka pasur vështirësi që votuesit të gjejnë emrin e tyre në listë, ka qenë e shprehur në 48 përqind”, tha Cakolli.
Cakolli përmendi edhe 12 raste të fotografimit të votës, e cila nuk lejohet me ligj dhe do hetohen nga Prokuroria.
“Sa i përket votimit me dokumente të pavlefshme, vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar se në 14 përqind ka pasur raste të izoluara, ku votuesit pavarësisht kriterit ligjor, i cili qartazi e cakton se vetëm me dokumente të vlefshme lejohet, të njëjtin janë lejuar që të votojnë edhe me dokumente të tilla me afat të skaduar. Edhe në këtë dimension rajoni i Prizrenit po raporton raste të tilla dhe në Gjakovë. Fotografimit të votës deri në ora 12:00, vëzhguesit tanë kanë raportuar për 12 raste të fotografimit të votës në 10 vendvotime. Ky trend është përafërsisht i njëjtë me zgjedhjet e 28 dhjetorit”, tha ai.
Raportime ka pasur edhe për ngjyrën martikuluese, për të cilën shumë qytetarë kanë raportuar se e njëjta po largohet lehtë nga gishtërinjtë.
“Fenomeni i cili është i shprehur në nivel vendi, janë raportimet e shpeshta të votuesve të cilët kanë deklaruar se ngjyra martikuluese e cila përdoret për shënimin e votuesve është fshirë lehtësisht në gishtërinjtë e tyre. Incidenti mbase i vetëm që vlen të përmendët është ai i ndërprerjes së rrymës në një zonë në komunën e Kamenicës, por është raportuar se është rregulluar nga ana e ekipeve të KQZ-së dhe ekipeve të tjera brenda një afati të shkurtër kohor”, tha Cakolli.
DnV konferencën e radhës do ta mbajë në ora 18:00.

