75 Mall Live Search
18:32 / E Diele, 07 Qershor 2026 / S Z

Pas vizitave në disa komuna, Enver Hoxhaj nga Prizreni u bën thirrje qytetarëve: Nëse ende nuk keni votuar, dilni tani

Kandidati për deputet nga PDK, Enver Hoxhaj, ka vazhduar edhe sot angazhimin e tij në terren, duke vizituar disa komuna të Kosovës dhe duke takuar qytetarë në Drenas, Malishevë dhe Suharekë, ku, sipas tij, ka parë nga afër mobilizimin dhe vullnetin për ndryshim.


“Është koha për angazhim maksimal sot nga të gjithë ne. Andaj, kam qëndruar sot në Drenas, Malishevë dhe Suharekë, ku kam parë nga afër energjinë, vullnetin dhe mobilizimin për ndryshim”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.


Ndërsa vetëm një orë para mbylljes së qendrave të votimit, Hoxhaj publikoi edhe një video-mesazh nga Prizreni, përmes së cilit iu drejtua qytetarëve me një thirrje të drejtpërdrejtë për të shfrytëzuar të drejtën e votës.
“Po ju drejtohem me një lutje të sinqertë. Nëse ende nuk keni dalë për të votuar, dilni tani. Sot është dita kur secili prej nesh vendos për Kosovën”, tha Hoxhaj.
Ai theksoi se vota e qytetarëve përcakton drejtimin e vendit në vitet e ardhshme.
“Me votën tuaj vendosni për drejtimin që do të marrë vendi ynë, për demokracinë, për zhvillimin ekonomik dhe për të ardhmen e vendit”, u shpreh ai.
Hoxhaj kujtoi gjithashtu takimet e shumta që ka zhvilluar gjatë javëve të fundit në mbarë Kosovën, duke thënë se ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe pritjet e qytetarëve.


“Gjatë këtyre javëve kam qenë pranë jush, në çdo qytet e fshat, kam dëgjuar shqetësimet, shpresat dhe pritjet tuaja. Çdo votë ka vlerë. Çdo votë bën dallimin”, deklaroi Hoxhaj në mesazhin e tij.