75 Mall Live Search
11:57 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / KV

KQZ nis verifikimin dhe numërimin e votave për kandidatët për deputetë në 38 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pas përfundimit të procesit të votimit, në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të zhvillohet procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë.

Sipas KQZ-së, paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.

Verifikimi dhe numërimi është planifikuar të nisë paraditen e së hënës në QKN-të e 15 komunave: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Ndërkaq, pasditen e së hënës, duke filluar nga ora 16:00, aktivitetet do të nisin edhe në 23 komuna të tjera: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri dhe Malishevë.

Për fillimin e procesit të verifikimit dhe numërimit në të gjitha komunat, si dhe për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, do të mbahet konferencë për media në orën 16:30 në Qendrën Komunale të Numërimit “1 Tetori” në Prishtinë.